Milaim Zeka ishte i ftuar në “Euro Dueli” ku përveç Europianit është prekur edhe tema e lojtarëve shqiptarë që përfaqësojnë shtete të tjera.
Zeka tregon se në përballjen mes Suedisë dhe Kosovës ishte me Suedinë pasi sipas tij ky është vendi që i ka dhënë shkollimin e personalitetin. Sa i përket vendlindjes? Jeta është dhuruar nga mamaja dhe babai, e këtu nuk ka vend për patriotizëm fallco.
“Kur ka luajtur Suedia me Kosovën, unë publikisht isha me Suedinë. Kosova na ka dhënë në shumicën e rasteve hu gardhi, poshtërim, fyerje dhe sharje. Nëse më pyet mua Suedia më ka dhënë shkollë, para, personalitet dhe dinjitet. Cilën jetë më dha Kosova? Jetën ma dha babai dhe mamaja. Nuk mundemi ne që të ecim gjithë jetën me patriotizmin fallco. Bekim Fehmiun e ka çmuar gjithë bota dhe iu përkul, ne talleshim me atë.
Unë jam nënshtetas i Suedisë dhe Kosovës. Kur e kam peshuar se kush kam pasur qef që të fitojë, shkova te Suedia. E dija normalisht që Kosova nuk kishte shans që të fitonte. Më bëhet zemra mal kur shikoj shqiptarët që ecin në botë. Më vjen keq kur shikoj sesi kanë fyer Behramin, njeri fenomenal. Kanë fyer Shaqirin dhe Xhakën. Lërini djemtë”, ka thënë Zeka.