Deputeti Vullnet Sinaj akuzon Bardhin për shantazh, mohon se përfitoi fonde publike: Edhe rrogën time e kam bërë donacion

Ditën e sotme, Vullnet Sinaj dhe Gazment Bardhi, janë përplasur në mbledhjen e Këshillit të Imunitetit dhe Mandateve, ku po diskutohet kërkesa e një grupi deputetësh të opozitës, lidhur me mandatin e ligjvënësit socialist.

Bardhi pretendon se Sinaj është në shkelje të Kushtetutës, pasi ka përfituar fonde publike. Por Sinaj tha se është një donator, që prej 20 vitesh është marrë me biznes.

Në debatin e zhvilluar, Sinaj tha se Bardhi ka shantazhuar deputetët për t’i marrë firmën.

“Ne të dy e dimë shumë mirë, ty as të tutë nuk të besojnë. Nuk të kanë dhënë firmën. i ke shantazhuar, dole në televizor në datën 6 dhe kërkesën e depozitove në datën 8, sepse nuk kishte firmat.

Por me shumë gjasa ne do të përplasemi edhe mandatin tjetër bashkë”, i tha Sinaj, Bardhit.

Më herët, kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, kërkoi që çështja të kalojë në Gjykatën Kushtetuese për t`u diskutuar.

“S’keni pse të keni frikë, çështjen ta shqyrtojë Kushtetuesja. Nëse ju mendoni se ne gënjejmë atëherë le të jetë Gjykata që do të vendosë”, tha Bardhi.

Deputeti i PS-së Vullnet Sinaj, në mbledhjen e Këshillit të Mandateve dhe Rregullores, ku po diskutohet mandati i tij, pasi akuzohet nga PD se ka përfituar para nga Buxheti i Shtetit, mohoi se ka përfituar fonde publike.

“Mandatet e dy faturave në këto biznese janë 350 mijë lekë. Unë nuk jam bërë biznesmen kur jam bërë politikan, kam qenë që prej 20 vitesh. Dhe rrogën time të deputetit e kam bërë donacion te njerëzit në nevojë. Nuk kam përfituar fare, as rrogën time. Më vjen keq për Bardhin që është lodhur të marrë informacion nga Thesari.

Si nuk e gjete që kam dhënë 100 milionë lekë për tërmetin në buxhetin e shtetit, si nuk e gjete ky Big al grupi, një ditë pasi kam dhunuar 100 milionë lekë, ka dhunuar 100 mijë euro. Fjala e shenjtë thotë bëjë të mirën me një dorë, dhe fshih tjetër, por ju më plasët cipën këtu. Biznesi im është familjar, ka siguruar punonjësit nga siguracione private. Nuk jam përfitues, jam donator në buxhetin e shtetit. Ajo që kërkove të bësh është një farsë, nuk ka asnjë bazë ligjore”, tha Sinaj.


Shtuar 4.09.2024 12:32