Këtë të mërkurë, drejtori i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, bëri me dije ekstradimin e Fabio Ballabanit, një person i shumëkërkuar nga drejtësia shqiptare.
Teksa iu përgjigj pyetjeve të gazetarit në lidhje me ekstradimet e personave me rrezikshmëri të lartë kriminale, Rrumbullaku njoftoi edhe ekstradimin e personit të sipërpërmendur.
“Mund t’ju konfirmoj edhe vendimin për Fabio Ballabanin, pjesë e një grupi të strukturuar kriminal”, tha Rrumbullaku.
Fabio Ballabani, ishte shpallur në kërkim nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për ngjarjen e ndodhur në vitin 2019, ku bashkëshorti i gjyqtares Saida Dollanit, Kristaq
Prifti, u kërcënua dhe dhunua brutalisht. Me urdhër të Emiljano Shullazit, Fabio Ballabanin alias Fabio Zyberaj alias Ivi Zyberaj, kërcënoi dhe rrahu Priftin.
Gjyqtarja Dollani, ka qenë pjesë e trupës që ka shqyrtuar dosjen “Shullazi” dhe nuk pranoi të largohej edhe pasi i dhunuan e kërcënuan me arme bashkëshortin Kristaq Prifti.
Pavarësisht insistimit të saj për të çuar deri në fund procesin gjyqësor ndaj Emiljano Shullazit, një nga kolegët në Apelin e Krimeve të Rënda, i cili tashmë është përjashtuar nga sistemi i drejtësisë nga vettingu, vendosi largimin e Saida Dollanit nga trupa gjykuese dhe rrjedhimisht nga çështja.