‘Çmendet’ moti/ Përmbytjet në këtë vend bëjnë kërdinë

Përmbytjet e mëdha i kanë detyruar njerëzit e zhvendosur nga lufta civile në Sudan të zhvendosen edhe një herë, duke shtuar vuajtje të mëtejshme në gjendjen e vështirë të familjeve tashmë të rraskapitura nga konflikti.

Familjet që kishin jetuar në një shkollë në provincën lindore të Kassala u goditën nga përmbytjet.

Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Refugjatët, UNCHR, siguroi tenda emergjence dhe zhvendosi familjet, duke theksuar se nevoja për ndihma është shumë e madhe.

Sipas saj, të paktën 200 familje janë zhvendosur deri më tani, raporton AP.

Më shumë se 11 mijë njerëz, përfshirë refugjatët dhe komunitetet lokale në Kassala janë prekur nga përmbytjet dhe shirat e dendur në dy javët e fundit. Raportohet se do të ketë më shumë stuhi në ditët në vijim.

Pjesa më e madhe e vendit është përfshirë në një krizë humanitare që kur filluan luftimet më shumë se një vit më parë midis ushtrisë dhe një grupi të fuqishëm paraushtarak, Forcat e Mbështetjes së Shpejtë, ose RSF.

Bichenge Malaika Balikwisha, udhëheqësja e zyrës së UNCHR-së në Kassala e përshkroi përmbytjen e fundit si “krizë pas krize”.

Më shumë se 10 milionë njerëz janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre si brenda vendit ashtu edhe përtej kufijve të tij disa herë, sipas UNHCR-së.


Shtuar 10.08.2024 16:18