Zjarret në Golem dhe Rrogozhinë, arrestohen dy autorët e dyshuar

Dy persona janë arrestuar në Golem dhe Rrogozhinë, pasi akuzohen për zjarrvënie. Si pasojë e zjarreve u rrezikuan banesa, si dhe u dogjën parcela të mbjella me ullinj e pemë të tjera frutore dhe sipërfaqe pyjore, në fshatrat Zigxhafaj dhe Sineballaj.

Ndërhyrja e menjëhershme e zjarrfikësve dhe shërbimeve të Forcës së Sigurisë Kombëtare, të asistuar nga një helikopter i Ministrisë së Mbrojtjes, mundësoi neutralizimin e flakëve dhe shpëtimin e banesave.

Si rezultat i hetimeve dhe veprimeve operacionale të menjëhershme, të kryera nga shërbimet e Policisë me qëllim përcaktimin e autorësisë së 2 rasteve të zjarrvënies në fshatrat Zigxhafaj dhe Sineballaj, të ndodhura mesditën e djeshme, u arrestuan shtetasit:

-B. H., 60-vjeç, banues në fshatin Zigxhafaj, pasi dyshohet se ka ndezur zjarr në pronën e tij, për të djegur mbeturina, dhe si pasojë e përhapjes së flakëve, janë rrezikuar banesa në zonë, janë djegur sipërfaqe toke të mbjella me ullinj dhe pemë frutore, si dhe janë djegur sipërfaqe pyjore;

-Z. S., 58-vjeç, banues në fshatin Sineballaj, pasi dyshohet se ka ndezur zjarr në pronën e tij, për të djegur mbeturina, dhe si pasojë e përhapjes së flakëve, është djegur një sipërfaqe toke e mbjellë me ullinj.

Neutralizimi i flakëve dhe shpëtimi i banesave janë bërë të mundur si rezultat i ndërhyrjes së menjëhershme të shërbimeve zjarrfikëse dhe atyre të Forcës së Sigurisë Kombëtare, me asistimin e një helikopteri të Ministrisë së Mbrojtjes.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Durrësit, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”.

Policia e Shtetit apelon sërish për qytetarët që në asnjë rast të mos shkaktojnë zjarr, pasi reagimi i Policisë për arrestimin e autorëve do të jetë i menjëhershëm, konform parashikimeve të Kodit Penal për këtë krim.


Shtuar 26.07.2024 10:56