Vrasja e Arlinda Zekajt në Pejë ka rikthyer vëmendjen te mangësitë në trajtimin institucional të dhunës në familje. Auditorja e Përgjithshme e Kosovës, Vlora Mehmeti Spanca, ka kërkuar që rekomandimet e auditimit për këto raste të zbatohen pa vonesë.
Në një reagim të publikuar në Facebook, ajo e cilësoi vrasjen e Zekajt si një thirrje urgjente për reflektim dhe përgjegjësi institucionale. Zekaj kishte raportuar dhunë në familje dhe u ishte drejtuar institucioneve për mbrojtje.
Të lidhura
None found
Mehmeti Spanca iu referua raportit të auditimit të performancës së Zyrës Kombëtare të Auditimit, me titull “Efektiviteti i institucioneve në trajtimin e rasteve të dhunës në familje”, që mbulon periudhën 2020–2022.
Raporti, sipas saj, nxori në pah dobësi në bashkëpunimin mes institucioneve, hetimin e rasteve dhe mbikëqyrjen e urdhrave mbrojtës, si dhe në përfshirjen e mbrojtësve të viktimave. Gjetjet evidentuan gjithashtu probleme me regjistrimin e rasteve, përkrahjen sociale dhe ekonomike, vonesat në proceset gjyqësore dhe mungesën e programeve për trajtimin e kryerësve të dhunës.
“Rekomandimet e auditimit shpesh konsiderohen thjesht çështje procedurale, ndonëse lidhen drejtpërdrejt me aftësinë e sistemit për të identifikuar rreziqet, për të reaguar me kohë dhe për t’i mbrojtur ata që kërkojnë ndihmë”, shkroi Mehmeti Spanca.
Ajo kërkoi që gjetjet dhe rekomandimet të trajtohen me urgjencë, përgjegjësi dhe transparencë. Sipas saj, për çdo rast të raportuar nevojitet vlerësim sistematik e profesional i rrezikut, si dhe bashkërendim i efektshëm mes Policisë, Prokurorisë, Gjykatave, Zyrës për Mbrojtje dhe Ndihmë Viktimave dhe Qendrave për Punë Sociale.
Auditorja e Përgjithshme nënvizoi edhe rëndësinë e mbikëqyrjes së vazhdueshme të urdhrave mbrojtës, reagimit të menjëhershëm kur ato shkelen dhe trajtimit me përparësi të rasteve të dhunës.
Ajo tha se viktimat duhet të kenë mbështetje të vazhdueshme, duke përfshirë strehim, ndihmë sociale e ekonomike dhe shërbime të specializuara. “Çdo raportim për dhunë duhet të merret seriozisht, çdo paralajmërim për rrezik duhet të vlerësohet dhe çdo masë mbrojtëse duhet të zbatohet e monitorohet”, theksoi ajo.
Reagimi vjen pas vrasjes së Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës, më 25 tetor. Rasti ka nxitur reagime dhe thirrje për të hetuar veprimet e institucioneve përgjegjëse.
Kryeprokurori i Shtetit ka kërkuar nga Prokuroria Themelore në Pejë dhe Policia e Kosovës raporte të detajuara për mënyrën se si u trajtua rasti.




