Bledi Çuçi: Grupi i Dialogut, produkt konkret për reformën zgjedhore

Në një konferencë për shtyp, kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Bledi Çuçi, deklaroi sot se, Grupi i Dialogut do të ketë këto ditë një produkt konkret sa i përket reformës zgjedhore.

Çuçi u shpreh se, “Grupi i Dialogut deri tani ka funksionuar dhe po vazhdon ndoshta edhe në këto momente të fundit të mbylljes së sesionit më shumti për rishikimin e Kodit Zgjedhor me synim adresimin e boshllëqeve që ka krijuar vendimi i Gjykatës Kushtetuese me shfuqizimin e disa dispozitave që lidhen pikërisht me formulën e llogaritjes së mandatave duke konsideruar si një formulë që nuk e kënaq atë kërkesë që ka Kushtetuta”.

Çuçi u shpreh se, “besoj se do kemi në këto orë, këto ditë në vazhdim një produkt më konkret”.

Ai shtoi se, ndër aktet me rëndësi për publikun ka qenë amnistia penale, e cila u vonua, por për shkak të situatës së krijuar në seancë plenare, por u miratua me shumicë të gjerë.

“Kanë përfituar një numër i konsiderueshëm të dënuarish. Përfitues janë 1803 të dënuar. Një pjesë kanë përfituar duke u liruar nga burgu dhe një pjesë kanë përfituar duke marrë thjesht ulje të dënimit me një rregull të përgjithshëm”, tha Çuçi.

“Të liruar menjëherë kanë qenë 898 të burgosur dhe pastaj pjesa tjetër ka përfituar në forma të ndryshme nga uljet e dënimit, qoftë për vepra të caktuara, duke ulur 4 vite për burrat dhe 5 vite për gratë, qoftë me rregullin e përgjithshëm me 1.5 vite për burrat dhe 2 vite për gratë”, u shpreh Çuçi.

Çuçi theksoi se, një moment tjetër i rëndësishëm ka qenë ratifikimi i marrëveshjes me Italinë për pensionet.

“Ky kaq qenë ndoshta nga lajmet më të mira që i kemi dhënë publikut, pasi kemi qindra mijëra emigrantë apo shtetas shqiptarë që tashmë punojnë dhe jetojnë në Itali dhe me ratifikimin që i bëmë kësaj marrëveshjeje me Italinë për pensionet përfitojnë qoftë si kontribute, qoftë si vite pune nga kontributet që kanë derdhur ën kohën që kanë punuar në Shqipëri”, tha Çuçi.

Me Italinë, shtoi ai, është për t’u shënuar edhe protokolli i bashkëpunimit në fushën e migracionit.

“Kuvendi ratifikoi këtë protokoll midis dy qeverive dhe besoj se ka një rëndësi të veçantë pasi Shqipëria është në një moment ku ka ofruar solidaritetin, jo vetëm me partnerin tonë kryesor strategjik siç është Italia, por besoj se ka dhënë një shembull të jashtëzakonshëm kontributi për krizën që ka dhe artikulon gjithmonë e më tepër BE-ja”, tha ai.

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, shprehu keqardhje që opozita nuk është bërë pjesë e dy komisioneve, të Posaçëm Anti-korrupsion dhe për Dezinformimin.

Ai ka theksuar se këto dy komisione nuk lidhen me luftën politike të përditshme, por me të ardhmen e Shqipërisë.


Shtuar 24.07.2024 11:55