Berisha: Thirrja ime e zemrës është për të gjithë demokratët, të bëjnë çdo përpjekje për rikthimin në shtëpinë tonë të secilit

Lideri demokrat, Sali Berisha u është drejtuar qytetarëve si çdo mbrëmje: 

Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të përzemërta ju qëndrestareve dhe qëndrestarëve, misionareve dhe misionarëve të kauzës së drejtë të çdo shqiptari.

Të interesit kombëtar të çdo shqiptari.

Të shpresës dhe të ardhmes të Shqipërisë.

Një përshëndetje të përzemërt oratorëve të kësaj tribune lirie, të cilët nga të katër anët e vendit dhe kudo që janë shqiptarët shprehin këtu mendimet e urta, të vërtetat e mëdha dhe ndriçojnë me to mendjen dhe zemrat e shqiptarëve.

Të dashur miq, regjimi në të cilin Edi Rama ka përqendruar në duart e veta të gjitha pushtetet, në të cilin Edi Rama kontrollon çdo qelizë të narkoshtetit, është forma më e shëmtuar e diktaturës.

Është diktatura e bandave, që nuk njeh asnjë ligj, asnjë rregull.

Në këtë kuadër, ka vetëm një rrugë për përmbysjen e tij.

Ka vetëm një rrugë për krijimin e qeverisë teknike, rikthimin e zgjedhjeve të lira, fitoren e opozitës dhe kjo rrugë është beteja jonë pa kthim gjer në fitore.

Kjo rrugë kërkon nga ne të bashkohemi më shumë se kurrë.

Kjo rrugë kërkon nga çdo demokrate e demokrat të ngrihet mbi çdo ndjenjë personale, mbi çdo hatërmbetje, mbi çdo padrejtësi që i është bërë atij që ai mendon dhe të bashkohemi në kontributin tonë të përbashkët.

Në betejën tonë të përbashkët.

Të bashkohemi për dashurinë që ne kemi për këtë vend.

Të bashkohemi për nderimin dhe respektin që kemi për lirinë dhe dinjitetin e njëri-tjetrit.

Të bashkohemi për interesin kombëtar, për shpëtimin e Shqipërisë.

Në këtë kuadër, thirrja ime e zemrës është për të gjithë demokratët, të bëjnë çdo përpjekje për rikthimin në shtëpinë tonë të përbashkët të secilit demokrate e demokrat që për një arsye apo një tjetër, për një opinion apo për një tjetër, nuk u bashkua me ne gjer sot.

Demokrate e demokratë, duhet t’u rikujtoj se motoja jonë e bashkimit në diversitet është motoja më e fuqishme e modernizimit të PD-së.

Është motoja e shndërrimit të kësaj partie në një parti të vërtetë të vlerave më të çmuara të lirisë.

Miqtë e mi, ju rikujtoj ju dhe çdo shqiptari se midis të tjerash, njëri nga përkufizimet më të drejta të lirisë është se liria ime përfundon aty ky fillon liria e tjetrit.

Në këtë kontekst, ftoj çdo demokrate e demokrat të bashkohet me ne në diversitet sepse ato mendime, ato opinione, ato probleme që dhe mund të na ndajnë nga njëri-tjetri janë mikroskopike krahasuar me çështjet e mëdha që na bashkojnë.

Krahasuar me dashurinë për Shqipërinë që na bashkon.

Krahasuar me mbrojtjen e interesit kombëtar që na bashkon.

Krahasuar me misionin tonë historik të përmbysjes së diktaturës së shëmtuar të bazuar në krimin, drogën dhe vjedhjen e shqiptarëve.

Krahasuar me misionin tonë historik për rikthimin e votës së lirë të shqiptarëve.

Për rikthimin e rotacionit politik.

Për ndryshimin e Shqipërisë dhe shqiptarëve.

Për fitoren e PD-së.

Pra, është në detyrën tuaj demokrate e demokratë të shtrini dorën, të trokisni te çdo demokrate e demokrat pavarësisht se sa pak janë ata që ende hezitojnë të bashkohen me ne.

Të vijnë midis nesh si të barabartë mes të barabartëve, si bashkëluftëtarë në një betejë epike, në një betejë që kërkon guximin tonë.

Në një betejë që është beteja e jetës sonë.

Beteja e misionit tonë.

Beteja e shpëtimit të Shqipërisë.

E rikthimit të demokracisë në Shqipëri.


Shtuar 20.07.2024 21:18