“Unë mbijetova sepse kisha Zotin në anën time”. Kështu deklaroi Donald Trump, teksa pranoi zyrtarisht nominimin për Shtëpinë e Bardhë në konventën republikane në Milwaukee dhe, në fjalimin e tij të parë pas tentativës për vrasje, ndërsa siguroi se do të sillte paqen në Amerikë dhe botë.
Ai foli gjithashtu, për një “fitore të pabesueshme” në zgjedhjet e 5 nëntorit, duke premtuar “katër vitet më të bukura në historinë” e SHBA-së, nëse rikthehet në Shtëpinë e Bardhë.
“Katër muaj nga tani, ne do të kemi një fitore të pabesueshme dhe do të fillojmë katër vitet më të mëdha në historinë e vendit tonë ”, tha Trump. “Së bashku, ne do të hapim një epokë të re sigurie, prosperiteti dhe lirie për qytetarët e çdo race, feje apo ngjyre. Unë po kandidoj për të qenë president për të gjithë Amerikën, jo gjysmën e Amerikës, sepse nuk ka fitore për gjysmën e Amerikës“, tha ai.
Trump iu rikthye retorikës agresive ndaj administratës Biden, për të cilën ai tha se po “shkatërron” vendin.
Ai pretendoi se aventurat e tij ligjore dhe akuzat penale ishin pjesë e një komploti demokratik.
Sipas Trump, Biden do të fillojë “Luftën e Tretë Botërore” dhe foli për një “pushtim” të emigrantëve nga kufiri jugor.
Trump u zotua gjithashtu, se do t’i japë fund imigracionit të paligjshëm që nga “dita e parë” e mandatit të tij të ri të mundshëm duke “mbyllur kufirin”, dhe se do të përfundojë ndërtimin e murit kundër imigracionit në kufirin me Meksikën.
“Unë do t’i jap fund krizës së emigracionit të paligjshëm duke mbyllur kufijtë tanë dhe duke përfunduar murin”, siguroi kandidati republikan.
Në të njëjtën kohë, ai premtoi të shpëtojë “vendin nga qeveria e paaftë dhe e dështuar” e demokratit Joe Biden, duke përsëritur se Amerika është një “komb në rënie”.
Trump tha gjithashtu, se krizat ndërkombëtare si luftërat në Ukrainë dhe Gaza nuk do të kishin ndodhur nëse ai do të ishte president.
“Së bashku do të rivendosim vizionin, forcën, kompetencën dhe do të kemi një gjë të quajtur sens të përbashkët që merr në fakt shumicën e vendimeve tona“, tha kandidati republikan.