Olsi Rama paraqitet në SPAK

Ditën e sotme, Olsi Rama, është paraqitur përsëri në SPAK. Akoma nuk dihet arsyeja e saktë se përse vëllai i kryeministrit Edi Rama, u paraqit sot në SPAK, por besohet se kjo ka të bëjë me hetimet që po zhvillohen sa i përket dosjes së Xibrakës.

SPAK vendosi që të rihapë hetimet për dosjen Xibraka, pas denoncimit të Bardhit, se një person i paidentifikuar, i moshës 45-vjeç, rezulton të ketë përdorur automjetin me targa AA 653 DM.

Sipas të dhënave TIMS, Olsi Rama është përdorues i këtij automjeti, sëbashku me tre drejtuesit e tjerë të organizatës kriminale.

Bardhi iu referua dokumenteve të Prokurorisë së Krimeve të Rënda dhe të dhënave të sistemit TIMS, për të provuar sipas tij faktin se Olsi Rama, ka përdorur gjatë vitit 2014 të njëjtën makinë me të dënuarit e tjerë të dosjes “Xibraka”, ku policia zbuloi atë kohë një laborator të përpunimit të kokainës në fshatin me të njëjtin emër.

Sipas Bardhit, filli lidhës mes Ramës dhe anëtarëve të tjerë të grupit ishte makina me targa AA 653DM, e përdorur prej tyre dhe e regjistruar në sistemin TIMS në hyrjet dhe daljes nga vendi.

Dokumentet e TIMS, të vëna në dispozicion nga Bardhi tregojnë se Olsi Rama ka hyrë në territorin e Shqipërisë tre herë me këtë makinë më 8 qershor 2014, 13 korrik 2014 dhe 8 gusht 2014; respektivisht nga pikat kufitare të Kapshticës, Qafë Thanës dhe Qafë Botës.

E njëjta makinë është përdorur disa herë nga Gentian Gjonaj nga prilli deri në nëntor të vitit 2014 dhe nga Ermal Hoxha, nipi i ish-diktatorit Enver Hoxha, në nëntor 2014.

Sipas Bardhit, prokuroria dhe gjykata shqiptare kanë pranuar se personat e dënuar nuk janë të vetmit persona që kanë qenë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale, por një hetim për personat e paidentifikuar nuk është mbyllur ende përfundimisht.


Shtuar 12.07.2024 15:33