Ministria e Drejtësisë ka reaguar në lidhje me vdekjen e të burgosurit në burgun e Reçit, Eduard Koka. Ministria e Drejtësisë, shprehet se Koka nuk është ndjerë mirë dhe ka marrë ndihmën mjekësore nga autoritetet.
Ministria e Drejtësisë, shprehet se ngjarja është nën hetim, ndërsa ka shprehur ngushëllime për familjen e të ndjerit.
“Sot, më datë 07.06.2024 në orën 07:45, i paraburgosuri në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale (IEVP) Reç-Shkodër, Eduard Gjon Koka ka ndërruar jetë në Spitalin Rajonal të Shkodrës.
Në orën 06:30 të mëngjesit, i ndjeri është ankuar tek punonjësi i rolit bazë se nuk ndjehej mirë dhe se kishte probleme me frymëmarrjen. Menjëherë janë lajmëruar infermierët e turnit dhe është dërguar në infermieri i vetëdijshëm.
Duke parë gjendjen jo të mirë shëndetësore është nisur me urgjencë në Spitalin Rajonal të Shkodrës ku ka mbërritur rreth orës 07:15 dhe ka ndërruar jetë në ambientet e spitalit rreth orës 07:45.
Eduard Koka, i biri i Gjon dhe Mrike, lindur më 14.03.1979 në Reps, Mirditë dhe banues në Lezhë, ishte i martuar dhe i padënuar më parë.
Ai ishte arrestuar më datë 02.04.2024 për veprën penale të “prodhimit dhe shitjes së narkotikëve” të parashikuar nga neni 283/1 i Kodit Penal.
I ndjeri ishte akomoduar në IEVP Reç me datë 02.06.2024, i transferuar nga IEVP Lezhë. Në kartelën e tij mjekësore nuk referohen probleme shëndetësore.
Ngjarja është nën hetim nga autoritetet përkatëse.
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve dhe IEVP Reç i shpreh ngushëllimet familjes e të ndjerit dhe sigurojnë opinionin publik se do të bëjnë gjithçka për të garantuar sigurinë dhe mirëqenien e të burgosurve”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Drejtësisë.