Kreu i BDI-së Ali Ahmeti i shoqëruar nga krerët e tjerë të koalicionit Fronti Evropian sot para mediave tha se fillojnë rrugëtimin e tyre për të mos lejuar majorizimin që rëndon bashkëjetesën dhe ftoi qytetarët t’u bashkohen në përpjekje për të ruajtur votën, legjitimitetin dhe Marrëveshjen e Ohrit.
Duke ju referuar një marrëveshje bashkëqeverisje në horizont mes VMRO-së dhe VLEN-it, Ahmeti tha se kjo e Frontit nuk është betejë për pushtet por për t’u siguruar që vendi do të ecë përpara. Kreu i BDI-së nuk zbardhi hapat e ardhshme të koalicionit, por tha se do të krijojnë një agjendë veprimi. Në Kuvend, ai tha se nuk bëhet fjalë për bojkot.
“Sigurisht që këtu është lënduar thellë Marrëveshja e Ohrit, sepse Marrëveshja e Ohrit duhet të lexohet në frymë dhe në germë. Ne nuk lejojmë që në frymë dhe në germë kjo marrëveshje as të cënohet, as të lëndohet dhe tërësisht jemi të mobilizuar dhe të organizuar në mbrojtje të legjitimitetit. Jo rastësisht shtrohet pyetje këtu sepse neve na pyesin njerëzit përse ne të votojmë kur dikush vendos mbi vullnetin tonë. Nuk bëhet fjalë për bojkot. Ne do të shfrytëzojmë të gjithë mekanizmat demokratik në mbrojtje të legjitimitetit. Ne jemi në mbrojtje të legjitimitetit dhe fare nuk tërhiqemi dhe qerpiku s’na dridhet sepse jemi në të drejtën tonë, në hakun tonë”, tha Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së.
Fushatën e VMRO-DPMNE-së e konsideroi naciste dhe naziste, kundër Amerikës dhe kundër NATO-s. Ahmeti tha se mandatari për formimin e qeverisë mban përgjegjësinë për atë që do të ndodhë në shtet.
“Përgjegjësinë për organizimin shtetëror e mban mandatari. Fronti nuk është mandatar dhe përgjegjësinë për stabilitet, për marrëdhënie të mira ndëretnike, për procese të rëndësishme që ne ndodhemi, si në raport me fqinjët, ashtu edhe në raport me Brukselin, përgjegjësia bie mbi mandatarin”, tha Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së.
Më herët, Fronti nuk ka përjashtuar as mundësinë e organizimit të protestave por në ditën e seancës konstituive një ditë më parë, nuk pati protesta para ligjvënësit.