Pensionet në Shqipëri përballë sfidave të plakjes së popullsisë dhe informalitetit në ekonomi

Në Shqipëri qëndrueshmëria e sistemit të pensioneve është një ndër sfidat kryesore të qeverisë. Në 30 vitet e fundit ajo ka marrë goditje nga një sërë faktorësh që lidhen me informalitetin në ekonomi, plakjen e popullsisë apo emigracionin e lartë. Skema e pensioneve vijon të mbetet e rrezikuar nga presione të vazhdueshme dhe afatgjata ndaj dhe autoritetet zyrtare po bashkëpunojnë së fundi me Bankën Botërore, për t’u përballur me këtë realitet. Korrespondentja e Zërit të Amerikës në Tiranë Mimoza Picari, bisedoi me zyrtarë, ekspertë, qytetarë në pension dhe përfaqësues të Bankës Botërore.

Ndryshimet që pësoi skema e pensioneve një dekadë më parë, si rritja e moshës së pensionit, apo vendosja e barazisë, pra të një raporti të drejtë midis kontributeve dhe masës së pensionit, të shoqëruara edhe me masa të tjera sollën një qëndrueshmëri financiare. Sot defiçiti i skemës, është 0.85% e PBB nga 2 që ishte dhjetë vjet më parë. Kjo do të thotë se fondet e buxhetit të shtetit që përdoren për të plotësuar ato të pensioneve kanë ardhur në rënie. Por megjithatë, zyrtarët mendojnë se skema po merr goditje të vazhdueshme kryesisht nga zhvillimet demografike, si emigracioni rënia e lindjeve apo rritja e jetëgjatësisë, të cilat për pasojë sjellin plakjen e popullsisë. BB parashikon që në vitin 2035 popullsia në moshë pensioni të rritet në 24% nga 19 që ishte në vitin 2019. Sot gëzojnë pension 705 mijë qytetarë dhe raporti kontribues përfitues është 1.17 me 1, një raport i brishtë për një skemë pensioni të qëndrueshme. Nga ana tjetër qytetarë në pension pohojnë për Zërin e Amerikës se masa e pensioneve nuk mjafton për të përballuar jetesën.

Ata thonë se kostot janë të larta dhe se përballen me majft vështirësi. Ndaj një prej sfidave kryesore për autoritetet mbetet masa e pensionit, me qëllim përballimin e jetesës. Qeveria i ka indeksuar pensionet në vijimësi, por sërish ato mbeten të ulëta, në raport me kostot. Drejtori i ISSH (Instituti i Sigurimeve Shoqërore) Astrit Hado argumentoi për Zërin e Amerikës, se arsyet e pensioneve të ulëta shtrihen në vite, si informaliteti në ekonomi, puna e zezë dhe nëndeklarimi i pagave. Sipas Instat, në Shqipëri ka rreth 1 milion e 300 mijë të punësuar dhe 40% e tyre nuk kontribuojnë në skemë.

“Pensionet janë të ulëta, për shkak të viteve të ulëta të pagesës së kontributeve, të pagave të ulëta mbi të cilat janë paguar kontributet, të daljes para kohe në pension dhe të rritjes së kohës së gëzimit të pensionit. Ata që sot janë 75-80 vjeç kanë dalë në pension 50-45 vjeç, pra kanë 25 deri në 30 vite, por kanë paguar kontribute 25 vjet dhe kanë 30 vjet që marrin pension. Pensionet nuk janë fabrikë që prodhojnë para. Qytetarët duhet ta kuptojnë se pensionet nuk janë sipas nevojës, por sipas meritës. Pensionet nuk japin masë pensioni aq sa individi ka nevojë, por aq sa ke kontribuar. Ajo që ne duhet të shohim është masa e pensionit, që do të thotë pensioni që do të përfitohet nga skema të jetë, i qenësishëm dhe i mjaftueshëm për një jetë dinjtoze”- shprehet Z. Hado.

Menaxheri i zyrës së Bankës Botërore në Shqipëri , Zoti Emanuel Salinas në një intervistë për Zërin e Amerikës, u shpreh se -“numri i njerëzve në tregun e punës nuk kontribuon mjaftueshëm në skemën e pensionit”. Disa shkaqe siç thotë ai, lidhen me kontributet mbi bazën e pagës minimale. “Edhe të vetëpunësuarit kontribuojnë më pak se sa do të kërkonte niveli i të ardhurave, ndërsa ka gjithashtu shumë njerëz që janë në punësim informal, dhe ndoshta nuk po kontribuojnë fare”- argumenton Z. Salinas.

“Objektivi që po përpiqemi të arrijmë me rishikimin e politikave të sistemit të pensioneve, duke punuar së bashku me qeverinë është një sistem pensioni që u ofron burime të mjaftueshme njerëzve kur ata arrijnë moshën e pensionit, që është i qëndrueshëm dhe i përballueshëm nga qeveria që të bëjë ato pagesa, por njëkohësisht që të jetë edhe një sistem i drejtë. Do të thotë që njerëzit të marrin pension

sipas shkallës që kanë kontribuar dhe gjithashtu të ketë drejtësi edhe midis brezave. Ne duam t’u përcjellim të rinjve besueshmërinë se nëse kontribuojnë tani, kur të vijë mosha e pensionit do të kenë një nivel të arsyeshëm të ardhurash përmes pensionit”- thotë Zoti Emanuel Salinas.

Edhe qytetarë në moshë pensioni thonë për Zërin e Amerikës, se është e domosdoshme që njerëzit të ndërgjegjësohen për të paguar kontributet e pensionit.

Sektori privat në Shqipëri është kontributori më i madh në fondin e pensioneve. Industria e ndërtimit dhe shërbimet mbajnë peshën më të lartë. Bujqësia edhe pse punëson thuajse gjysmën e fuqisë punëtore në vend, ka një shkallë të ulët të kontributeve, për shkak të funksionimit të çrregullt të saj.

Autoritetet shpjegojnë se politika e qeverisë për rritjen e pagave ka sjellë më shumë kontribute në fondin e sigurimeve shoqërore, por studiues të zhvillimeve ekonomike në vend, vënë theksin edhe te nevoja për një ekonomi me nivel të lartë produktiviteti dhe me paga të larta. Eksperti i ekonomisë Selami Xhepa, sugjeron dhe skema alternativë.

“ Skema alternativë përveç forcimit të fondeve private të pensioneve do të ishte dhe llogari pensioni me privilegje tatimore dhe të mbrojtura dhe të garantuara nga shteti. Pra ne mund të lejojmë çdo qytetar që nga të ardhurat vjetore të heqë 2 mijë euro në vit në këtë depozitë të cilat do të jenë të patatueshme, i zbritet detyrimi tatimor gjatë vitit. Dhe pas 40 vitesh punë, çdo individ mund të kishte 80 mijë dollarë për të përballaur një jetesë më komode me kursimet e tij”- argumenton Selami Xhepa, President i UET.

Skema e pensioneve po vuan pasojat e zhvillimeve të paqëndrueshme ekonomike dhe shoqërore të mbi tre dekadave. Gjatë viteve të fundit po del në sipërfaqe një problem shqetësues. Një pension i plotë përfitohet pas 38 viteve punë, dhe ai minimal pas 15 viteve, ndërsa vihet re se është rritur numri i pensionstëve të rinj, me më

pak vite punë. Mesatarja e viteve të punës për afro 40 mijë persona që dalin në pension çdo vit, ka ardhur duke rënë, nga 30 dy vite vite më parë në 27 vite e gjysmë aktualisht. Por autoritetet konstatojnë me shqetësim se është rritur edhe numri pensionistëve që kanë 15 vite punë. Kjo do të thotë një pension i ulët për ta dhe më shumë vështirësi për të përballuar jetën.

“Ka dhe arsye të tjera pse ndodhin këto. Në vitet ‘90, kur ra sistemi komunist, derisa ekonomia shqiptare filloi të formalizohet në vitet 2000 ka patur një papunësi të madhe, punë të zezë informalitet të lartë dhe emigracion masiv. Sot po dalin në pension datëlindja 1962, që kanë vetëm 15 vjet gjatë regjimit komunist. Të mos harrojmë emigrantët që ikën në Greqi dhe Itali, punuan atje nuk kontribuan këtu dhe kur dalin në pension, kanë vetëm 15 vjet punë. Njerëzit duhet ta kuptojnë që për pensionin nuk mendohet ditën që mbush moshën për të dalë në pension”- argumenton Astrit Hado, drejtor i ISSH.

ISSH, pranon se përqindja që zë pensioni në raport me pagën mesatare po bie. Mesatarja e përgjithshme është 32%, ndërsa në vende të zhvilluara pensioni arrin 60% të pagës neto. BB vëren se duhen krijuar stimuj për të rritur ndërgjegjësimin e njerëzve të paguajnë kontribute shoqërore, ndërsa nënvizon se po punon me qeverinë për të adresuar rekomandime në këtë drejtim./VOA


Shtuar 19.05.2024 19:21