Reforma territoriale/ Mazniku-opozitës: Njerëzit nuk duan harta, por shërbime të përmirësuara nga Bashkia

Bashkëkryetari i Komisionit të Posaçëm për Reformën Territoriale, Arbjan Mazniku, i bëri thirrje opozitës që të përfshihet në procesin e diskutimit për pushtetin vendor.

Nga foltorja e Kuvendit, Mazniku kritikoi mungesën e opozitës në mbledhjet e komisionit, duke deklaruar se kjo solli humbjen e një pjese të konsiderueshme të kohës së mandatit të tij.

Të lidhura

None found

Duke folur për hartën e re territoriale dhe propozimin për bashkimin e disa bashkive, Mazniku argumentoi se debati duhet të përqendrohet te shërbimet që marrin qytetarët dhe jo vetëm te ekzistenca e njësive administrative në hartë.

Mazniku përmendi shërbimet që, sipas tij, duhet të jenë në qendër të reformës, nga pastrimi dhe ndriçimi i lagjeve te kanalet kulluese, rrugët rurale, çerdhet, kopshtet dhe transporti publik.

“Nuk erdhën të bënim mbledhjen e parë për 112 ditë. U dogj 41% e kohës dhe mandatit që komisioni kishte. Në vijimësi ia dolëm me sukses të shkonim në 12 qarqe, të thërrisnim të gjithë kryetarët e bashkive. Patëm grup ekspertësh të përbashkët që duhej të sillnin elementet teknike. Më 15 korrik nuk u ra dakord që të prezantoheshin gjetjet. Në këtë moment u gjendëm në një situatë ku rrugët ndaheshin: ose reforma ngec­te, ose puna, dëgjesat dhe, më e rëndësishmja, hallet që njerëzit kanë çdo ditë. Të fillojmë punën së bashku për kompetencat, financat dhe analizimin”,– tha Mazniku.

“Kur bashkohemi, bëhemi më të fortë. U thatë njerëzve që bashkitë tuaja do të zhduken, do të shkrihen. Njerëzit nuk jetojnë në hartë, jetojnë në shtëpinë e tyre, ku duan që t’u shkojë rruga, uji. Njerëzit jetojnë në lagjen e tyre, që duan t’u pastrohet dhe t’u ndriçohet. Njerëzit jetojnë në fshatin e tyre, ku duan kanale kulluese e rrugë për arat. Jetojnë në qytete, ku duan që të ketë çerdhe, kopshte dhe transport publik.

A ishte reforma e vitit 2014 një sukses? Në të gjitha dëgjesat, nga të gjitha diskutimet, po, reforma e vitit 2014 ishte sukses. Asnjë person i PD-së, asnjë person nuk tha: duam mbrapsht komunat. Ajo situatë, as propozimi i 100 bashkive, nuk tregon që ajo që kishim ishte mirë. Ajo që erdhi tregoi qartë se bashkitë u forcuan, të ardhurat u rritën, borxhet u ulën, fuqia investuese e bashkive u rrit.

Por kjo është e pamjaftueshme për aspiratën që PS ka për mënyrën se si u shërbehet qytetarëve në territor. Kjo është përgjigjja për arsyen përse ne na duhet të ecim përpara”,- tha Mazniku.


Shtuar më 8.10.2026 14:39