Në Ditën kombëtare të të Zhdukurve, presidentja Vjosa Osmani, ministra të kabinetit qeveritar e ambasadorë të akredituar në Kosovë, kanë bërë homazhe te memoriali për të Pagjeturit.
Osmani tha se edhe sot Serbia vazhdon të flejë mbi varreza. Ajo theksoi se liria do të jetë kuptimplotë vetëm atëherë kur na kthehen edhe personat e zhdukur.
“Është një dhimbje që ta shpon shpirtin sepse për dallim që kanë humbur më të dashurit, familjen nuk kanë se ku t’i vendosin kurora me lule. Siç po e shohim edhe nga shoqatat e personave të zhdukur, një numër i madh i tyre janë fëmijë të vegjël. Edhe sot Serbia vazhdon të flejë mbi varreza. Njëherë e kreu krimin dhe më pas bëri çmos që ta fsheh krimin edhe 25 vjet më pas vazhdon ta bëjë të njëjtën. Si institucione të Kosovës do të jemi pranë familjeve që ta ndajmë dhimbjen së bashku sepse të zhdukurit me dhunë janë familjarë të të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës. Liria do të jetë kuptimplotë vetëm atëherë kur na kthehen edhe personat e zhdukur”, ka deklaruar presidentja Vjosa Osmani.