Prokuroria Posaçme (SPAK) nuk ka pranuar kërkesën e Olsi Ramës për nisjen e hetimit ndaj Gazment Bardhit për shpifje.
SPAK ka konstatuar se nuk ka asnjë shpifje apo kallëzim të rremë.
Pas këtij vendimi ka reaguar deputeti demokrat, Gazment Bardhi i cili i kërkon kreut të qeverisë Edi Rama të shpjegojë çfarë e lidhte të vëllanë, Olsi Rama me kreun e narko-organizatës dhe pse sipas tij, krerët e organizatës, bashkë me Olsin përdorin të njëjtin automjet me targa AA 653 DM, në të njëjtën periudhë të planifikimit dhe ngritjes së laboratorit të kokainës në Xibrakë.
Reagimi i plotë i Gazment Bardhit:
Edi Rama nuk mund të fshihet më! Pretendimi i tij se nuk jep shpjegime në Kuvend, sepse kërkuesi i interpelancës është kallëzuar në SPAK, është rrëzuar më 17 Prill.
Nuk ka ndodhur kurrë të kem bërë denoncim të pabazuar në të dhëna konkrete, fakte konkrete apo dokumente zyrtare. Prandaj, pasi u fsheh pas Olsit për 1 muaj, fitoi kohë për të gjetur alibi e gënjeshtra, sot Edi Rama ka detyrimin të shpjegojë çfarë e lidhte Olsi Ramën me kreun e narko-organizatës dhe pse krerët e organizatës, bashkë me vëllain e tij Olsi Ramën përdorin të njëjtin automjet me targa AA 653 DM, në të njëjtën periudhë të planifikimit dhe ngritjes së laboratorit të kokainës në Xibrakë?
Nuk ka më vend për vonesa, zvarritje apo fshehje për të hetuar rolin e Olsi Ramës në organizatën e trafikut të drogës së Xibrakës. Prandaj ripërsëris kërkesën për heqjen e pezullimit ndaj procedimit penal nr. 335/1-2016. SPAK duhet të na provojë që në Shqipëri nuk ka persona të paprekshëm, që hetohet dhe vihet përpara përgjegjesisë cilido, qoftë ky edhe vëllai i Kryeministrit. Prova janë aty, duhet vetëm të hiqet pluhuri që ka zënë atë dosje të lënë në harresë. Kaq duhet dhe më pas zotimi i Edit të vogël, “ose unë ose ai në burg”, merr përgjigje vetiu!