“Ai ishte i shkëlqyer, bëri pritje të mëdha”, Kompany tregon pse i dha besim Muricit te Burnley edhe pas gabimeve

Trajneri i Burnley, Vincent Kompany ka treguar besim për Aro Muric dhe ku i fundit e shpërbleu me paraqitje tjetër të madhe në fitoren e skuadrës së tij ndaj Sheffild United si mysafir me rezultat 4-1.

Dy paraqitjet e mëparshme të Muric ndaj Everton dhe Brighton i kishin kushtuar me pikë të rëndësishme Burnleyt, ku portieri i Kosovës bëri dy gabime.

Kompany është ndarë i kënaqur me paraqitjen e portierit, duke deklaruar pas ndeshjes se normalisht që do ta përkrahte.

“Varet si e trajtoni. Unë pres që lojtarët të kalojnë periudha të vështira, pavarësisht nëse bëhet fjalë për portierin, mbrojtësit apo sulmuesit. Ne kemi një grup vërtetë të talentuar dhe lojtarët presin me padurim ndeshjen e radhës. Ai ishte i shkëlqyer sot. Kemi luksin e dy portierëve shumë cilësorë dhe ata të dy kanë qenë shumë të mirë gjatë gjithë sezonit”, ka thënë Kompany.

25-vjeçari Aro Muriq tashmë i ka gjashtë paraqitje në Ligën Premier, ku fitoi besimin pak javë më parë, kur skuadra po shkonte drejt kategorisë së dytë.

“Ai bëri pritje të mira në secilën ndeshje. Nuk është opsion që mos t’i mbështesim lojtarët tanë. Ne po përballemi me nivel shumë të lartë. Duhet të mbështesim talentin që e kanë lojtarët. Ishte paraqitje e madhe nga ekipi”, ka nënvizuar Kompany.

Deri në fund të kampionatit, Burnley i ka edhe katër ndeshje. Skuadra vazhdon të mbetet e parafundit në kampionatin anglez me 23 pikë, por ka ende gjasa për të siguruar mbetjen në elitë. /Telegrafi/


Shtuar 21.04.2024 21:14