Erisa Xhixho: Shkollat shqiptare vuajnë mungesën e mësuesve

Nënkryetarja e PL-së, Erisa Xhixho, dha një deklaratë për mediat, ku theksi ishte sistemi arsimor në Shqipëri.

Xhixho evidentoi disa probleme në bashki të ndryshme të vendit ku ka mungesë të stafeve arsimore, konkretisht në Kukës, në Dibër dhe Tiranë.

Deputetja ka pasur kritika në deklaratë edhe për kurrikulën britanike që aplikohet si model në vend, pasi rezultat kanë qenë dështim.

Nga ana tjetër, Xhixho në emër të Partisë së Lirisë, propozon disa hapa për kthimin e sistemit arsimor cilësor, i cili përfshin miratimin me ligj investimet në arsim në masën 5% të GDP, rritje të pagave për mësuesit, si dhe kurrikula të reja.

Deklarata e Nënkryetares dhe deputetes së Partisë së Lirisë Erisa Xhixho

Të nderuar qytetarë!

Shkollat shqiptare vuajnë mungesën e mësuesve. Ndërsa universitetet e vendit po zbrazen me shpejtësi, në shkolla nuk ka mësues për lëndët më të rëndësishme.

Në të gjithë vendin, arsimit 9-vjeçar dhe të mesëm i mungojnë 159 mësues matematike, sipas vetë Portalit Mësues për Shqipërinë.

Aktualisht, në Bashkinë e Kukësit mungojnë aktualisht 29 mësues matematike, në Dibër 23, madje edhe në Tiranë mungojnë 11 mësues.

Në qarqet Kukës dhe Dibër, thuajse shumica e shkollave nuk kanë një mësues të profilit të matematikës.

Mungesa ka edhe për mësuesit ndihmës. Pavarësisht se në strategjinë kombëtare të Ministrisë së Arsimit, përcaktohet detyrimi për të siguruar arsim gjithpërfshirës për të gjithë fëmijët me aftësi të kufizuara si dhe nevoja për të parandaluar diskriminimin, ndryshe nga premtimi dy vjet më parë për 205 punonjës psikosocial dhe 250 ndihmës për nxënësit me aftësi ndryshe, në portalin e punësimit ‘Mësues për Shqipërinë” janë qindra vende të lira.

Fatkeqësisht, edhe ato shkolla që i kanë të gjithë mësuesit, kanë mësues me njohuri të pamjaftueshme. 47% e tyre, pra gati gjysma e mësuesve të Shqipërisë, nuk kanë njohuritë e duhura për të dalë përpara një klase me nxënës.

Gati një e katërta e trupës pedagogjike të arsimit parauiversitar vlerësohet shumë dobët. Ndërsa Ministria dhe kryeministri propagandojnë smartlabet, regjistrat online dhe programimin që në klasë të parë, plot 94% e mësuesve nuk kanë aftësi digjitale.

Plot 10 vjet pasi zgjodhëm aplikimin e kurrikulës britanike si model, rezultatet na tregojnë se kemi dështuar në mënyrë spektakolare, siç ishin edhe rezultatet e PISA-s.

Akademia e Shkencave vlerëson se pavarësisht se ka tema të ngjashme, Shqipëria mbulon vetëm 30-40% të kurrikulës britanike në orët e disponueshme të mësimit. Agjencia e Sigurimit të Cilësisë së Arsimit Parauniversitar pranon 52 tekste pa gabime nga 400 të shqyrtuara.

Në këtë kaos me librin që i vihet përpara nxënësit, mësuesit nuk janë orientuar ende pas një dekade. 47.5% e mësuesve në të gjithë vendin zotërojnë njohuri jo të mjaftueshme për çështje që lidhen me mësimdhënien bazuar në kurrikulën me kompetenca.

I vetmi hap që ka hedhur deri tani qeveria për të shpëtuar shkollën nga rrënimi është një hap fals. Studentët e degëve prioritare u mashtruan nga qeveria me premtimin për bursa, të cilat nuk u dhanë për të gjithë.

Kjo përpjekje e qeverisë për të shpëtuar degë të tëra nga mbyllja do të prodhojë në rastin më të mirë mësues të dobët e në rastin më të keq një kontigjent të ri emigrantësh të zhgënjyer nga ky vend.

Arsimimi cilësor i të rinjve, duke i parë ata si mësuesit e së ardhmes, është sot emergjencë kombëtare. Ndaj, Partia e Lirisë propozon:

Miratimin me ligj në Parlament të një niveli dysheme të investimit në arsim dhe kërkim shkencor në masën 5% e GDP-së.

Miratimin me shumicë të cilësuar të nivelit të pagave të mësuesve në piramidën e pagave.

Miratimin me shumicë të cilësuar të ligjeve kryesore të arsimit. Gjithashtu me shumicë në Parlament duhet të miratohen edhe strategjitë e arsimit, programet, kurrikulat, dhe politikat arsimore. Për vendime kaq jetike për vendin është e domosdoshme dakordësia e të gjithëve.

Kthimin e mësuesisë dhe shkencave në degë degë prioritare. Si rrjedhojë, ato duhen trajtuar me incentiva dhe praktika që nxisin motivimin e studentëve.

Reformimin e thellë të kurrikulave dhe aftësimin e mësimdhënies.

Mbështetjen me investime prioritare të degëve të teknologjisë, informacionit dhe inovacionit në ofruesit e arsimit profesional dhe në institucionet e Arsimit të Lartë.

Vetëm duke e bërë arsimit prioritet mund të rikthejmë shpresën se ky vend ka të ardhme!


Shtuar 12.03.2024 12:57