Shqiptarët mbledhin dyfishin e shumës për të sjellë me charter zyshë Inën në Vlorë

Shqiptarët janë bërë bashkë, për të ndihmuar mësuesen Ina Kasimatin që të kthehet në Shqipëri. Ajo vuan nga një sëmundje e rëndë dhe po kurohet në një spital në Francë, por ditën e djeshme, kërkoi ndihmë në “GoFound Me”, për të mbledhur një shumë prej 17 mijë eurosh për t’u kthyer në atdhe.

Zysha, siç e njohin shumë qytetarë, duke marrë në konsideratë dhe këshillat e mjekëve francezë, kishte nevojë që të kthehej në vendlindjen e saj në Vlorë, me një avion charter, pasi i duhet të qëndrojë e lidhur me aparaturat, që mundësojnë qëndrimin e saj në jetë.

Në më pak se 24 orë, shqiptarët që kanë kontribuar kanë arritur që të mbledhin gati dyfishin e shumës rreth 35 mijë euro.

Në një shënim në gofundme, thuhet se paratë që do të mblidhen përtej shumës së 17 mijë eurove, do të shkojnë për nevojat shëndetësore që ajo do të ketë në Shqipëri, si dhe për të ardhmen e djalit të saj të mitur.

 


Shtuar 26.02.2024 12:08