Vjosa Osmani akuzon Aleksandër Vuçiçin për ndikim në sulmin fatal në Banjskë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, qëndron pas sulmit në Banjskë të Zveçanit, ku u vra rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku. Në një intervistë për mediumin arab “Al Aan” më 8 shkurt, e shpërndarë nga Presidenca e Kosovës në Facebook, Osmani ka thënë se ky informacion i është konfirmuar edhe nga aleatët.

“Këto dëshmi janë konfirmuar nga aleati ynë më i rëndësishëm, dhe janë ndarë me shtetet anëtare të NATO-s. Gjithçka çon te Vuçiçi. S’po flasim te humbja e tij e kontrollit ndaj disa bandave. Po flasim për të se ka organizuar e urdhëruar sulmet nëpërmjet bandave. E tash po mundohet t’i ikë përgjegjësisë, duke dhënë disa emra. Të gjithë e dinë, kam pritur në zyre shumë mysafirë e liderë e ma kanë konfirmuar këtë. Ka raste edhe kur i kanë thënë Vuçiqit direkt, se kanë shumë dëshmi se ai ishte pas sulmit. Është konfirmuar kjo dëshmi nga aleatë të ndryshëm”, tha Osmani.

Ajo tha se secili shtet do të vendosë vetë se si do t’i përdorë këto dëshmi. Për hetimet vendore, ajo tha se një pjesë e tyre është publikuar, dhe për tjetrën do të vendosë Policia.

“Gjitha dëshmitë janë aty për ata që duan t’i shohin. Por, ka disa shtete që s’duan t’i përdorin e të tjerat që duan t’i injorojnë. Por, historia na ka mësuar rëndë në shumë raste, se kur autokratët mundohen të qetësohen, atëherë ata inkurajohen të bëjnë më tepër e jo më pak”, tha Osmani.


Shtuar 18.02.2024 17:53