Jeff Bezos ka shitur një pjesë të madhe të aksioneve të tij në Amazon, duke e çuar vlerën totale të shitjeve në ditët e fundit në më shumë se 4 miliardë dollarë.
Gjiganti i teknologjisë, të cilin Multimiliarderi Bezos e themeloi në vitin 1994, tha se ka shitur 24 milionë aksione të Amazon këtë muaj.
Bezos, i cili është kryetari ekzekutiv i firmës, shiti për herë të fundit aksionet e Amazon në vitin 2021.
Në fillim të këtij muaji, kompania tha se ai po planifikonte të shiste 50 milionë aksione gjatë vitit të ardhshëm, të cilat kanë vlerë rreth 8.4 miliardë dollarë me çmimet aktuale.
Bezos ka dhuruar gjithashtu aksione në Amazon si pjesë e filantropisë së tij, në vitin 2022.
Shitjet e tij të aksioneve të Amazon vijnë pasi ato janë rritur me pothuajse 70% vitin e kaluar.
Kur Bezos njoftoi se do të shpërngulej në Florida, nxiti spekulime nëse ishte për shkak të një fature të mundshme tatimore me të cilën do të përballej në Uashington pasi shteti miratoi një taksë të re për shitjet e mëdha të aksioneve.
Bezos tha në nëntor se prindërit e tij ishin zhvendosur së fundmi në Miami, ku ai kaloi një pjesë të fëmijërisë së tij dhe se donte të ishte afër tyre dhe me projektin e tij hapësinor Blue Origin, i cili “po zhvendosej gjithnjë e më shumë në Kepin Canaveral”.
Bezos mbetet aksioneri më i madh i Amazon dhe është një nga njerëzit më të pasur në botë, me një pasuri të vlerësuar prej më shumë se 190 miliardë dollarë.