Një takim mes zëvendëspresidentit amerikan JD Vance dhe sekretarit të Këshillit të Lartë të Sigurisë Kombëtare të Iranit, Mohsen Rezaei, pritet të mbahet javën e ardhshme në Katar.
Këtë e bëri të ditur kreu i inteligjencës turke, Ibrahim Kalin, sipas të cilit takimi mund t’u japë shtysë negociatave mes Uashingtonit dhe Teheranit.
Të lidhura
None found
Në një konferencë për shtyp të hënën, Kalin paralajmëroi se mungesa e një marrëveshjeje mund të pasohet nga një tjetër sulm i SHBA-së ndaj Iranit.
Agjencia iraniane Tasnim, e lidhur me Gardën Revolucionare, raportoi megjithatë se një zyrtar i lartë i sigurisë në Teheran, identiteti i të cilit nuk u bë i ditur, e ka mohuar planifikimin e takimit.
Zyrtari tha se qëndrimi i Teheranit ndaj negociatave mbetet i pandryshuar. Sipas tij, Irani nuk do të shqyrtojë bisedime me palën amerikane derisa Uashingtoni të ndërmarrë veprime konkrete në përputhje me shtatë kushtet e vendosura prej tij.
Ai u citua të theksonte se as politika, as planet e Iranit për negociatat nuk kanë ndryshuar dhe se, pa hapa konkretë amerikanë lidhur me shtatë kushtet, nuk do të merret në shqyrtim asnjë plan për bisedime.
Në të njëjtën kohë, kryeministri i Katarit, Sheikh Mohammed bin Abdulrahman Al Thani, është takuar në Shtëpinë e Bardhë me presidentin amerikan Donald Trump dhe zëvendëspresidentin JD Vance.
Javën e kaluar, kryeministri i Katarit kishte vizituar Teheranin si pjesë e përpjekjeve diplomatike për të zbutur tensionet mes palëve.
Në Iran kishte shkuar edhe kryeministri i Irakut, me synimin, sipas raportimeve, për të ndihmuar në përfundimin e luftës.
Megjithëse ka sinjale për përpjekje të reja ndërmjetësimi, ende nuk dihet nëse Uashingtoni dhe Teherani do të nisin bisedime, ndërsa pala iraniane deri tani ka mohuar se është caktuar ndonjë takim.







