Një tjetër konflikt në krijim? Kim Jong-un paralajmëron: Duhet të përgatitemi për pushtimin e Koresë së Jugut!

Pheniani duhet të jetë i përgatitur për të pushtuar territorin e Koresë së Jugut në rast të një “emergjence”, ka paralajmëruar diktatori i Koresë së Veriut, Kim Jong-un.

Në një fjalim për të shënuar 76-vjetorin e themelimit të Ushtrisë së Koresë së Veriut të premten, Kim vlerësoi ushtrinë për “mbrojtjen e vendosur të sovranitetit dhe dinjitetit të vendit” nga “kërcënimet ushtarake imperialiste, shantazhet dhe rreziku i luftës” sipas tij.

Duke komentuar marrëdhëniet gjithnjë e më të tensionuara me Seulin, udhëheqësi i Koresë së Veriut tha se vendi i tij ka “përmbledhur historinë e ndarjes dhe konfrontimit të popullit korean dhe ka përcaktuar kukullat e Koresë së Jugut si armikun më të dëmshëm dhe të pandryshueshëm” të vendit.

Kim paralajmëroi se në rast të një “emergjence”, drejtuesit e lartë të Koresë së Veriut “kishin marrë një vendim për të pushtuar dhe qetësuar territorin e Koresë së Jugut”.

Paralajmërimi vjen pasi udhëheqësi i Koresë së Veriut përjashtoi ribashkimin midis Phenianit dhe Seulit në fund të dhjetorit, duke argumentuar se të dy fqinjët u përmbahen parimeve të kundërta.

Muajin e kaluar, Kim i bëri thirrje gjithashtu parlamentit kombëtar që të etiketojë Korenë e Jugut si “vendin numër një armiqësor”.