Pochettino reagon pas huazimit të Brojës tek Fulhami, tregon pse nuk e zëvendësoi atë me një lojtar tjetër

Mauricio Pochettino beson se ai ka mjaftueshëm opsione në fazën e sulmit pas largimit në formë huazimi të Armando Brojës në drejtim të Fulhamit.

“Mendoj se kemi opsione të mjaftueshme në sulm, kaq mjafton. Mendoj se është e rëndësishme që ta rikuperojmë Nkunkun, Jackson mbërriti sot dhe tani kemi Deivid Washington me ne”, ka thënë Pochettino pas ndeshjes me Wolves.

“Është shumë mirë për Brojën që të luajë më shumë. Është një lëvizje e mirë për të dhe shpresoj se ai do ta shfrytëzojë mundësinë për të luajtur më shumë”, u shpreh tekniku argjentinas.

“Blutë e Londrës” raportohet se kishin pasur mundësinë për të nënshkruar me sulmuesin e Borussia Dortmundit, Donyel Mallen, për të zëvendësuar sulmuesin shqiptar, por që Pochettino ishe kundër kësaj ideje.

Duke marrë për bazë komentet e Pochettinos, duket se Deivid Washington do të marrë tani e tutje më shumë minuta në këmbët e tij.

Më herët ishte raportuar se Chelsea kishte vendosur një çmim prej 50 milionë eurosh për kartonin e Brojës, çmim i cili ishte i papërballueshëm për klubet tjera dhe eventualisht Fulhami arriti të gjejë një marrëveshje me klubin londinez për huazimin e tij.

Kalimi i Brojës tek Fulhami me të vërtetë ishte një lëvizje e mençur e tij, duke marrë parasysh faktin se po i afrohemi Kampionatit Evropian dhe se Broja deri atëherë duhet të gjejë formën optimale. /Telegrafi/


Shtuar 2.02.2024 21:38