Vjehrri vrau dhëndrin, fëmijët kishin kërkuar të rrinin me të atin

Dhurata Saliaj kishte shkelur sot arrestin shtëpiak për të pritur jashtë dyerve të gjykatës bashkë me të atin, vendimin për kujdestarinë e fëmijëve dhe procesin e divorcit me të shoqin Kudret Saliaj që mbeti i vrarë me armë zjarri nga vjehrri i tij.

Saliaj kishte qenë e arrestuar për dhunë në familje, konkretisht ndaj vjehrrës dhe fëmijëve të saj në bazë të deklarimeve që kishte bërë nëna e ish-bashkëshortit të saj. Akuza për dhunë në drejtim të saj ishin ngritur edhe nga mbesa e viktimës, vajza e vëllait të Kudret Saliajt shkruan abcnews.al.

E gjithë skena e vrasjes u pa edhe nga djali adoleshent i çiftit i cili do të dëshmonte sot në seancë, në prani të një punonjësi social. Burime bëjnë me dije se të tre fëmijët kishin kërkuar të qëndronin me babain e tyre pas divorcit të prindërve.

Çifti kishin më shumë se 17 vite të martuar dhe problemet mes tyre kishin përfunduar në dyert e gjykatës shtatorin e kaluar, pasi fillimisht familjarët e viktimës e kishin akuzuar Dhuratën për dhunë fizike dhe psikologjike në familje. Dy familjet e çiftit i kishin shtëpitë shumë pranë njëri-tjetrit.

Nga ana tjetër, Mexhit Picari është larguar në këmbë pasi ka kryer krimin duke shkuar në banesën e vajzës. Në momentin kur blutë kanë shkuar për ta arrestuar ai është shprehur se nuk di asgjë në lidhje me ngjarjes ndërkohë që rrugës për në komisariat ka treguar se e “ka vrarë për të mbrojtur nderin e vajzës”.

Kjo pasi familjarët e viktimës e kishin akuzuar të shoqen e tij edhe për tradhti bashkëshortore.  Ndërkohë Picari ka dhënë fillimisht deklarim të rremë edhe për vendndodhjen e pistoletës duke deklaruar se ka hedhur atë në lulishte por pas kontrolleve policore ajo u gjet në lumin Lana shumë pranë vendit ku ndodhi ngjarja.


Shtuar 4.06.2021 19:51