Ligjvënësit turq kanë vendosur ti hapin rrugë anëtarësimit të Suedisë në NATO.
Me 287 vota pro, 55 kundër dhe katër abstenime, kuvendi turk ratifikoi protokollin e pranimit të Suedisë, i cili do të hyjë në fuqi menjëherë pas botimit në fletoren zyrtare.
Turqia vonoi për më shumë se një vit anëtarësimin e Stockholmit në NATO, për shkak të akuzave të qëndrimit të butë ndaj grupeve që Ankaraja i konsideron si kërcënime.
Ankaraja ka kërkuar nga Stokholmi ndryshim të politikave, përfshirë një qëndrim më të ashpër ndaj militantëve kurdë dhe anëtarëve të një rrjeti që Turqia e fajëson për një grusht të dështuar shteti në vitin 2016.
Një sërë demonstratash në Suedi nga mbështetësit e Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit, si dhe protestat për djegien e Kuranit që tronditën vendet myslimane, nxitën edhe më shumë zemërimin në Turqi.
Por Suedia ka premtuar bashkëpunim më të thellë me Turqinë në luftën kundër terrorizmit dhe mbështetje të ambicieve të Ankarasë për anëtarësim në BE.
Presidenti Erdogan e ka lidhur ratifikimin e anëtarësimit të Suedisë në NATO me miratimin nga Kongresi amerikan të një kërkese turke për të blerë 40 avionë luftarakë të modelit F-16 dhe pajisje të tjera ushtarake për të modernizuar flotën ekzistuese të Turqisë.
Por duket se të njëjtën rrugë me Turqinë do të ndjekë edge Hungaria, e cila deri më tani ka ngritur veton. Kryeministri hungarez Viktor Orban ka zhvilluar një bisedë telefonike me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, ku i ka rikonfirmuar se mbështet anëtarësimin e Suedisë në Aleancë.
“Sapo përfundova një telefonatë me sekretarin e përgjithshëm Jens Stoltenberg. Rikonfirmova se qeveria hungareze mbështet anëtarësimin e Suedisë në NATO . Theksova gjithashtu se ne do të vazhdojmë të nxisim Asamblenë Kombëtare të Hungarisë që të votojë në favor të pranimit të Suedisë dhe të përfundojë ratifikimin në rastin e parë të mundshëm”, shkruan Orban në platformën “X”.
Edhe sekretari i NATO-s, e ka përshëndetur vendimin e qeverisë hungareze, teksa shton se mezi pret ratifikimin e marrëveshjes sapo të mblidhet parlamenti.
Për futjen e Suedisë në NATO kërkohet miratimi i të gjitha shteteve anëtarë të aleancës. Kjo kërkesë e Suedisë erdhi pas agresionit të Rusisë në Ukrainë.