Pas Suarez, një tjetër emër i madh pritet të ribashkohet me Messin tek Inter Miami

Philippe Coutinho mund të jetë futbollisti i radhës që do të ribashkohet me Messin, teksa ish-ylli i Barcelonës tashmë është identifikuar si një ‘blerje e ëndrrave’ nga Inter Miami.

Disa fytyra të njohura i janë bashkuar Messit në Florida pas kalimit të tij befasues në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në 2023.

Sergio Busquets dhe Jordi Alba u transferuan pothuajse në të njëjtën kohë me ikonën argjentinase, ndërsa Luis Suarez gjithashtu u transferua në “DRV PNK Stadium”.

Tani siç sugjeron Gazzetta dello Sport, Coutinho është në linjë për të kaluar në Amerikë.

31-vjeçari është momentalisht në Katar aty ku luan tek Al-Duhail, por një marrëveshje huazimi mund të arrihet pasi Aston Villa dëshiron që ta shtyjë brazilianin në një drejtim tjetër.

Coutinho tashmë është futur në radarin e Inter Miamit pasi ata janë në kërkim të një tjetër mesfushori kreativ, për shkak të lëndimit të njërit prej lojtarëve kryesor, Facundo Farias.

Braziliani thuhet se është i hapur për kalim në MLS dhe padyshim që do të ishte transferimi i duhur për të mbuluar mungesën e Farias.

Ai tashmë ka luajtur me Messin dhe të tjerët në “Camp Nou” në të kaluarën, andaj ai ka dëshmuar se mund të jetë plani B për David Beckham dhe Tata Martinon në Miami./Telegrafi/


Shtuar 23.01.2024 15:22