Gjyqtarja kërcënohet me jetë, kërkon mbrojtje të posaçme në KLGJ pasi mori letrën kërcënuese

Gjyqtarja e Gjykatës së Shkallës së Parë në Tiranë Arnisa Këlliçi ka marrë një letër kërcënimi me jetë, gjë që ka nxitur këtë të fundit të kërkojë mbrojtje të posaçme nga KLGJ.

Këtë gjë e bëri të ditur vetë gjyqtarja në një letër drejtuar Këshillit të Lartë Gjyqësor, ku ajo shprehet se para pak ditësh është kërcënuar me jetë.

Zanafilla duket se lidhet me një kallëzim që kancelari i gjykatës së Tiranës ka bërë në prokurori për një prokuror.

Kërkesa e gjyqtares:

Të nderuar!
Para pak ditësh më është bërë me dije nga Kancelari i kësaj Gjykate që kundrejt meje, gjyqtares Amisa Këlliçi, ka patur një kërcënim me jetë.

Për këtë fakt unë nuk kam prova, por më është bërë me dije se ka një kallëzim të depozituar nga ana e Kancelarit të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.

Sot më datë 20.01.2024, më ka ardhur një letër kërcënuese, që me aq sa mund të deshifroj përmban kërcënime për mua, fëmijët e mi dhe familjen time.

Unë nuk mund të atestoj në asnjë moment për vërtetësinë e kësaj letre.

Thënë kjo, për çdo eventualitet, unë kërkoj një mbrojtje të posaçme, për aq sa ju e shihni të nevojshme.


Shtuar 20.01.2024 19:53