Aridon Bllaca, portieri i ri që ka shkëlqyer këtë sezon te Gjilani: Kisha oferta nga jashtë, por kam vendosur të rinovoj kontratën

Aridon Bllaca është një nga portierët e ri më perspektivë në Superligën e Kosovës dhe ai këtë edicion ka pasur hapësira më të mëdha se në të kaluarën te Gjilani.

Portieri i talentuar gjilanas ka pasur paraqitje shumë të mira në nëntë ndeshje këtë edicion, ku në katër prej tyre e ka mbajtur portën e paprekur te Gjilani.

Por përkundër se kishte oferta në janar, ai ka vendosur të mbetet te Gjilani ku do të rinovojë kontratën me skuadrën e udhëhequr nga Gentjan Mezani.

“Ka pas interesime si brenda Kosovës ashtu edhe jashtë vendit, por aktualisht kam kontratë me Gjilanin dhe jam shumë pranë rinovimit të saj”, thotë fillimisht Bllaca për Telegrafin.

22-vjeçari thotë se është i kënaqur me paraqitjet që ka bërë këtë edicion me aq hapësirë sa ka pasur gjatë këtij sezoni.

“Për sa kam pasur hapësirë jam i kënaqur me paraqitjet që kam bërë këtë edicion, por besoj se mund të bëj edhe më mirë”, tha Bllaca.

Tutje portieri shtatlartë ka thënë se synimet e klubit janë që të grumbullojnë sa më shumë pikë, por edhe të kenë fokusin në Kupën e Kosovës.

“Mëkat që nuk kemi marrë më shumë pikë, pasi mendoj se fati na ka kthyer shpinën në disa ndeshje, por gjithsesi në pranverë besoj se do të grumbullojmë sa më shumë pikë të jetë e mundur”.

“Objektivi i klubit është t’i shkojmë Kupës së Kosovës deri në fund, ku vitin e kaluar u mposhtëm në finale dhe këtë vit do të kemi fokusin në këtë garë ku dihet se fituesi shkon në garat evropiane”, tha Bllaca. /Telegrafi/


Shtuar 11.01.2024 09:23