Elbasani godet në merkato, prezanton Ardit Hilën: Mirësevjen në shtëpi

Ardit Hila është zyrtarisht një futbollist i Elbasanit. Prej javësh e muajsh pritej kjo lëvizje me mesfushorin që ishte thuajse i larguar nga Tirana. Sot erdhi edhe shkëputja e kontratës me bardheblutë dhe Elbasanit iu hap drita jeshile për të zyrtarizuar djalin e qytetit.

Ardit Hila rikthehet në shtëpinë e tij, aty ku doli si lojtar dhe aty ku në fakt jeton prej vitesh pavarësisht se ka luajtur për skuadra të tjera. Elbasani bën kështu goditjen e madhe në merkato, por jo të vetmen pasi në ‘Elbasan Arena’ priten sërish yje të tjerë.

Hila luajti 55 ndeshje me Tiranën duke shënuar 10 gola e 4 asiste, ndërsa në karrierë ka provuar fanellat e Kukësit, Prishtinës, Teutës, Partizanit e Gjilanit. Debutimi i tij do të vijë më 19 janar ku Elbasani pret Korabin në shtëpi. /newsport.al/


Shtuar 9.01.2024 17:04