Pas një pushimi të gjatë që kur u largua nga Tottenham, Antonio Conte ka vendosur t’i rikthehet punës, madje në Itali, dhe me synimin për të mos patur si prioritet pagën, pasi më e rëndësishme për të është që të rikthehet të fitojë duke rigjetur adrenalinën.
E duan Napoli dhe Milan, me De Laurentiis dhe Ibrahimovic që e sponsorizojnë në klubet respektive, ndërsa pak më pas qëndron Roma, ku nuk është zgjidhur ende dilema për të ardhmen e Mourinhos.
Tre kandidatë për Conten, me Napolin që bëri hapa konkretë edhe pas shkarkimit të Rudi Garcia nëntorin e kaluar, me presidentin që e donte që në atë kohë, për të devijuar më pas te Mazzarri. De Laurentiis do ta provojë sërish në qershor, por do të ketë një konkurrent të fortë, Zlatan Ibrahimovic, konsulentin e ri të Milanit.
Suedezi e dëshiron Conten në stolin e kuqezinjve, me teknikun që do të ishte i lumtur për të pranuar sfidën që të fitojë edhe në krahun tjetër të Milanos, pas titullit me Interin. Duhet bindur pronari Gerry Cardinale, i cili prej kohësh ka shfaqur dëshirën për ta rritur klubin pa çmenduri financiare, pasi me Conten do t’i duhet të shpenzonte menjëherë shumë miliona për një mekato me peshë që do të kënaqte teknikun.
Conte dëshiron të fitojë në afate të shkurtra, një vullnet ky që egziston edhe nga ambienti kuqezi i lodhur tanimë nga Pioli. Lamtumira e tij në fund të sezonit duket e paevitueshme.
Duhet patur kujdes edhe Roma. Jose Mourinho e ka thënë publikisht se dëshiron të qëndrojë, por pronarët Friedkin nuk janë ekspozuar për momentin. Mourinho ka një kontratë në skadencë në 2024 si dhe një lloj “joshjeje” nga Brazili.
Për Romën paga e Contes nuk do të ishte një problem, por nuk mund të thuhet e njëjta gjë për merkaton me kufizimet e shumta të vendosura nga Fair Play financiar. Gjithsesi loja sapo ka nisur dhe e sigurt është se Conte dëshiron të kthehet shpejt protagonist.
/GazetaSinjali/