EMRAT/ Kuvendi përjashton për 10 ditë 7 deputetë të opozitës, shkaktuan kaos në sallë

Komisioni i Etikës në Kuvendin e Shqipërisë, ka përjashtuar për 10 ditë nga seancat plenare 7 deputetë të opozitës për shkak të kaosit të shkaktuar në Kuvend.

Ervin Salianji, Lefter Gështnja, Bledion Nallbati, Asllan Dogjani, Isuf Çelaj, Luan Baçi dhe Xhelal Mziu janë përjashtuar për 10 ditë nga seanca plenare pas kërkesës së bërë nga opozita.

Çfarë ndodhi të enjten e kaluar në Kuvend

Në seancën në të cilën do të miratohej buxheti për vitin 2024, kanë zgjatur vetëm 7 minuta diskutimet dhe më pas buxheti ka kaluar vetëm me votat e mazhorancës, pasi kryetarja e Kuvendit u detyrua të mbyllë seancën për shkak të kaosit brenda në sallë të shkaktuar nga deputetët e opozitës.

Të vetmit që dolën kundër protestës së opozitës dhe morën pjesë në votim ishin 4 deputetët që njohin kryetar Lulzim Bashën. Flutura Açka, Merita Bakiu, Andia Ulliri dhe Selaudin Jakupllari votuan kundër buxhetit.


Shtuar 11.12.2023 18:13