Drejtori u arrestua për dhunë në familje, qindra punonjës të burgut të Fushë-Krujës mbeten pa rroga

250 punonjës të burgut të Fushë Krujës nuk i kanë marrë pagat e tyre për muajin nëntor. Kjo ka ndodhur pas arrestimit të drejtuesit të këtij institucioni, Durim Toska, nën akuzën e dhunës në familje dhe armëmbajtjes pa leje.

Pasuesi i tij në krye të institucionit ende nuk është zgjedhur, teksa sipas Zëri.al, qindra punonjës kanë mbetur pa rroga.

Durim Toska u arrestua për shkak se akuzohet se ka dhunuar dhe kërcënuar bashkëshorten e tij, si dhe gjatë kontrollit në banesë iu gjet armë pa leje.

Toska ishte në krye të burgut të Fushë Krujës, për disa muaj, ndërkohë që më herët kishte drejtuar burgun e Drenovës.

Gjithashtu për një mandat ai kishte qenë në krye të komunës së Hudenishtit në Pogradec.

Pikërisht në këtë qytet u vu dhe në prangat e policisë, dhe nga një drejtor burgu do të shndërrohet në një të burgosur.

Ai doli këtë javë përpara Gjykatës së Pogradecit, e cila i la në fuqi masën e arrestit me burg, edhe pse bashkëshortja e Toskës e tërhoqi padinë që kishte bërë për dhunë.

Nga ana tjetër vetë ish-drejtori i burgut u shpreh se nuk kishte dijeni për armën që u gjet në banesë, dhe mohoi akuzat për dhunë.


Shtuar 9.12.2023 14:11