Ushtria izraelite të dielën urdhëroi evakuimin e më shumë zonave në dhe rreth qytetit të dytë më të madh të Gazës, Khan Younis, pasi e zhvendosi ofensivën e saj në gjysmën jugore të territorit, ku sipas ushtrisë, janë fshehur shumë udhëheqës të Hamasit.
Bombardime të rënda u raportuan gjatë natës dhe të dielën në qytetin Khan Younis dhe në qytetin jugor Rafah, si dhe në pjesën veriore që ishte në qendër të fushatës së ashpër ajrore dhe tokësore të Izraelit.
Shumë nga 2.3 milionë banorët e territorit janë grumbulluar në jug, pasi forcat izraelite urdhëruan civilët të largoheshin nga veriu në ditët e para të luftës.
Me rifillimin e luftimeve, pothuajse u shuan shpresat se mund të negociohej një tjetër armëpushim i përkohshëm. Një armëpushim njëjavor, i cili skadoi të premten, mundësoi lirimin e dhjetëra pengjeve izraelitë dhe të huaj të mbajtur në Gaza dhe palestinezëve të burgosur nga Izraeli.
“Ne do të vazhdojmë luftën derisa të arrijmë të gjitha qëllimet dhe është e pamundur të përmbushen ato synime pa operacionin tokësor”, tha në një fjalim të shtunën në mbrëmje kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu.
Të dielën, ushtria izraelite zgjeroi urdhrat e evakuimit në dhe rreth qytetit Khan Younis, duke u kërkuar banorëve të të paktën pesë zonave dhe lagjeve të tjera, që të largoheshin për hir të sigurisë së tyre.
Banorët thanë se ushtria izraelite hodhi afishe duke i urdhëruar ata të lëviznin në jug në Rafah ose në një zonë bregdetare në jugperëndim. “Qyteti Khan Younis është një zonë e rrezikshme lufte”, thuhej në afishe.
Vëzhguesit e Kombeve të Bashkuara thanë në një raport të publikuar përpara urdhrave të fundit të evakuimit se ata që u ishte thënë të largoheshin përbënin rreth një të katërtën e territorit të Gazës, shtëpia e gati 800,000 njerëzve para luftës.
Shtetet e Bashkuara, aleati më i afërt i Izraelit, e ka paralajmëruar Izraelin që të shmangë zhvendosjet e reja masive.
Ushtria izraelite tha të dielën se avionët dhe helikopterët e saj “goditën objektivat terroriste në Rripin e Gazës, duke përfshirë tunelet, qendrat e komandës dhe depot e armëve” gjatë natës, ndërsa një dron vrau pesë luftëtarë të Hamasit.
Në Gazën veriore, ekipet e shpëtimit me pak pajisje po përpiqeshin të dielën të gërmojnë nëpër rrënojat e ndërtesave në kampin e refugjatëve Jabaliya dhe lagje të tjera në qytetin e Gazës, në kërkim të të mbijetuarve të mundshëm dhe trupave të të vrarëve.
Ministria e Shëndetësisë në Gazën e drejtuar nga Hamasi tha të shtunën se numri i përgjithshëm i vdekjeve që nga fillimi i luftës më 7 tetor është mbi 15,200. Ministria nuk bën dallimin midis civilëve dhe luftëtarëve, por tha se 70 për qind e të vrarëve janë gra dhe fëmijë. Ajo tha se më shumë se 40,000 njerëz janë plagosur që nga fillimi i luftës.
Thirrjet e Shteteve të Bashkuara për mbrojtjen e civilëve u shtuan pasi një ofensivë në javët e para të luftës shkatërroi zona të mëdha të Gazës veriore. Pjesa më e madhe e popullsisë së Gazës është e grumbulluar në gjysmën jugore të territorit. Vetë Rripi i Gazës në kufi me Izraelin dhe Egjiptin në jug, është i mbyllur, duke u lënë banorëve mundësinë e vetme për të lëvizur brenda Gazës për të shmangur bombardimet.
“Shumë palestinezë të pafajshëm janë vrarë. Sinqerisht, shkalla e vuajtjes së civilëve dhe imazhet dhe videot që vijnë nga Gaza janë shkatërruese”, u tha gazetarëve të shtunën nënpresidentja amerikane, Kamala Harris, në Dubai.
Mark Regev, një këshilltar i lartë i kryeministrit Netanyahu, tha se Izraeli po bën “përpjekje maksimale” për të mbrojtur civilët dhe ushtria ka përdorur afishet, thirrjet telefonike dhe transmetimet në radio dhe televizion për t’i nxitur banorët e Gazës të lëvizin nga zona të veçanta. Ai shtoi se Izraeli po shqyrton krijimin e një zone të veçantë sigurie.
Izraeli thotë se synon operativët e Hamasit dhe fajëson militantët për viktimat civile, duke i akuzuar ata se veprojnë në lagje të banuara. Ai pretendon se ka vrarë mijëra militantë, pa dhënë prova. Izraeli thotë se të paktën 78 ushtarë të tij janë vrarë gjatë ofensivës në veri të Gazës.
Bombardimet të shtunën shkatërruan një bllok prej rreth 50 ndërtesash banimi në lagjen Shijaiyah të qytetit të Gazës dhe një ndërtesë gjashtëkatëshe në kampin urban të refugjatëve Jabaliya në skajin verior të qytetit, tha zyra e OKB-së për Bashkërendimin e Çështjeve Humanitare.
Më shumë se 60 njerëz u vranë në sulmet në Shijaiyah dhe më shumë se 300 mbetën nën nën rrënoja, thanë vëzhguesit, duke cituar Gjysmëhënën e Kuqe Palestineze.
Në bisedimet me Presidentin egjiptian Abdel Fattah el-Sissi, nënpresidentja Harris tha se “në asnjë rrethanë Shtetet e Bashkuara nuk do të lejojnë zhvendosjen e detyruar të palestinezëve nga rripi i Gazës ose Bregu Perëndimor, rrethimin e Gazës ose ndryshimin e kufijve të rajonit”, thuhej në një deklaratë të Shtëpisë së Bardhë.
Lufta filloi pasi një sulm i 7 tetorit nga Hamasi dhe militantët e tjerë la pas vetes rreth 1200 të vrarë, kryesisht civilë, në jug të Izraelit. Rreth 240 persona u morën peng.
Armiqësitë e ripërtërira kanë shtuar shqetësimet për 137 pengje, të cilët ushtria izraelite thotë se janë ende në duart e militantëve, pas 105 të liruarve gjatë armëpushimit të fundit. Izraeli liroi 240 palestinezë gjatë armëpushimit. Shumica e të liruarve nga të dyja palët ishin gra dhe fëmijë. /VOA