Ka përfunduar autopsia e 18-vjeçari që ndërroi jetë në Qendrën Rezidenciale të Zhvillimit në Berat.
Në trupin e të riut nuk ka pasur shenja dhune apo helmimi dhe paraprakisht konfirmohet se vdekja ka qenë për shkaqe natyrale.
Në këtë konkluzion ka dalë grupi hetimor, pas kryerjes së të gjitha veprimeve në vendngjarje, pas kqyrjes së kufomës dhe pas pyetjes së edukatoreve të turnit.
Bëhet me dije se janë pyetur edukatoret e turnit që kanë dhënë shpjegimet në lidhje me ngjarjen, janë sekuestruar kamerat e sigurisë së qendrës si dhe është marrë kartela mjekësore nga Spitali Rajonal Berat, ku viktima ishte shtruar disa ditë më parë pasi kishte pasur shqetësime.
Trupi i pajetë i 18-vjeçarit nga Kavaja do tu dorëzohet familjarëve,që janë njoftuar nga policia menjëherë pas ngjarjes. Ngjarja e rëndë ndodhi mesditën e sotme në Qendrën Rezidenciale të Zhvillimit Rajon Berat.
Ishte personeli i qendrës që e gjeti pa shenja jete 18-vjeçarin S.Ll., banues në Kavajë, i cili vuante nga probleme të shëndetit mendor.
I riu është pranuar për trajtim pranë kësaj qendre në muajin Qershor 2023,me vendim të Komisionit Qëndror për Vlerësimin e Nevojave të Personave me Aftësi të Kufizuara Tiranë, duke qenë se vuante nga probleme të shëndetit mendor.