GJKKO pezulloi dënimin, momenti kur Greta Gjoci del nga burgu i Pojskës me foshnjën në krah

33-vjeçarja Greta Gjoci ka lënë qelinë e burgut të Pojskës, pasi Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) pranoi kërkesën për shtyrjen e ekzekutimit të dënimit të saj. Gjoci ndodhej në paraburgim së bashku me foshnjën e saj 3-muajshe, ndërsa pas vendimit të gjykatës familjarët e saj u paraqitën në burg gjatë pasdites së ditws sw sotme për ta marrë atë.

Shtyrja e dënimit do të jetë në fuqi deri në momentin kur fëmija të mbushë një vjeç. Më pas, 33-vjeçarja duhet të rikthehet për të vijuar vuajtjen e dënimit, nga i cili i kanë mbetur edhe pak më shumë se tre vite e pesë muaj. Gjatë seancës, Gjoci kërkoi vetë shtyrjen e dënimit, duke argumentuar se foshnja është vetëm 3 muajshe dhe se qëndrimi në burg kishte ndikuar në gjendjen e saj dhe të fëmijës.

Të lidhura

None found

Sipas saj, foshnja kishte shfaqur probleme me ushqyerjen dhe gjumin gjatë ditëve të qëndrimit në burg. Kërkesa u mbështet edhe nga prokurori Ened Nakuci, ndërsa seanca zgjati rreth 25 minuta, ndërsa foshnja nuk u lejua të qëndronte në sallën e gjyqit dhe u mbikëqyr nga kujdestarja e burgut jashtë saj. Në seancë ishte i pranishëm edhe avokati Jurgen Gjoci, i cili mori pjesë pavarësisht bojkotit të avokatëve. Ai e argumentoi vendimin e tij me rrethana humanitare dhe faktin se 33-vjeçarja është e afërmja e tij.

Greta Gjoci është një prej gjashtë grave të dënuara në kuadër të çështjes së grupit të Bruno Çobos, të lidhur me mashtrime përmes skemave ‘Call Center’. Edhe gra të tjera të dënuara në të njëjtën çështje i janë drejtuar GJKKO-së me kërkesa për shtyrjen e vuajtjes së dënimit, duke iu referuar kryesisht kujdesit për fëmijët e mitur dhe rrethanave familjare.

Legjislacioni parashikon mundësinë e shtyrjes së ekzekutimit të dënimit në rastet kur e dënuara është shtatzënë ose ka një fëmijë nën moshën një vjeç. Gjykata mund të marrë një vendim të tillë edhe kur vuajtja e menjëhershme e dënimit mund të shkaktojë pasoja të rënda për të dënuarën ose familjen e saj.


Shtuar më 8.10.2026 20:11