“Lushnja vepron, Divjaka jo”, Mazniku përplaset me Braçen gjatë debatit për Reformën Territoriale

Pas kundërshtimeve të shprehura nga deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, ndaj Reformës Territoriale të propozuar nga kjo forcë politike, reagoi bashkëkryetari i Komisionit për Reformën Territoriale, Arbjan Mazniku.

Mazniku tha se e vlerëson debatin e zhvilluar më herët me Braçen për këtë çështje, por theksoi se disa bashki, edhe pse i kanë kompetencat dhe përgjegjësitë përkatëse, nuk i ushtrojnë ato.

Të lidhura

None found

Si ilustrim, ai përmendi Divjakën. Në momentin kur Mazniku përmendi këtë bashki, Braçe u pa të reagonte nga vendi duke vendosur duart në kokë, në shenjë kundërshtimi.

“Jemi në një situatë ku kjo reformë ose humbet ritmin dhe nuk arrijmë ta përfundojmë, ose realizohet përmes mekanizmave që kemi në dispozicion sot”, u shpreh Mazniku.

Sipas tij, Braçe ka të drejtë kur thotë se bashkitë nuk i kanë të gjitha funksionet apo kapacitetet për t’i ushtruar ato. Megjithatë, ai nënvizoi se ekzistojnë edhe një sërë përgjegjësish për të cilat bashkitë nuk pengohen as nga ligji dhe as nga qeveria.

Mazniku përmendi zhvillimin e turizmit, strehimin social, kujdesin social, mbështetjen për arsimin profesional dhe transportin publik si fusha ku bashkitë mund të ndërhyjnë.

“Strehimi social është një politikë që duhet të zbatohet nga bashkia, por kjo nuk ndodh. Enti i Banesave ka rolin e vet dhe i ndihmon bashkitë kur ka mundësi. Bashkitë e kanë pasur strehimin si kompetencë të tyre që prej vitit 2000 dhe, kur e konsiderojnë të arsyeshme e të mundur, është detyrë e tyre kryesore të merren me të”, deklaroi ai.

Ai shtoi se Lushnja i ushtron këto përgjegjësi, ndërsa Divjaka jo.

“Kujdesi social për të sëmurët është funksion i bashkive. Lushnja e kryen, Divjaka jo. E njëjta gjë vlen për mbështetjen e arsimit profesional dhe transportin publik. Këto janë funksione që nuk hasin pengesa as ligjore dhe as buxhetore”, tha Mazniku.

Në përfundim, ai tha se beson se kryetari i Këshillit Bashkiak të Divjakës do të bëjë gjithçka, por shtoi se bashkia e ka të pamundur për shkak të tipologjisë së strukturës së saj ekonomike.

“Na duhen bashki që hartojnë projekte dhe programe të tilla, në mënyrë që t’i drejtohemi Bashkimit Evropian dhe të sigurojmë financime”, përfundoi Mazniku.


Shtuar më 8.10.2026 18:38