Kryeministri britanik Rishi Sunak ka shkundur qeverinë e vendit gjatë ditës së sotme duke hequr dhe rikthyer emra të bujshëm. “Big-u” i parë i larguar është Sekretarja e Brendshme, Suella Braverman, ndërkohë që të njëjtin fat pati edhe Sekretari i Jashtëm, James Cleverly, i cili u zëvendësua me ish-kryeministrin James Cameroon.
Rikthimi i Cameroon në qeverinë britanike është cilësuar një sfidë e vërtetë për analistët politik të vendit për shkak të së shkuarës.
“Ai është njeriu që kryesoi referendumin për Brexit; njeriu që nxiti një “epokë të artë” të marrëdhënieve më të ngushta me Kinën; njeriu që mbështeti aksionin ushtarak në Libi, i cili la pas një shtet pothuajse të dështuar”, shkruan për Cameroon gazetari i BBC James Landale, ndërsa vlerëson eksperiencën e tij dhe peshën e madhe politike.
Braverman ishte kritikuar ndërkohë për zgjidhjet e saj radikale sa i përket emigrantëve dhe qëndrimeve shpesh të paarsyeshme në raport me shqiptarët.
Gjatë minutave të fundit shumë prej emrave të propozuar nga Sunak po mbërrijnë në ambientet e qeverisë.
Disa nga ndryshimet e tjera në qeverinë britanike:
Sekretarja e Mjedisit Therese Coffey jep dorëheqjen, duke thënë se është “koha e duhur për t’u larguar nga qeveria”.
Ministri i Transportit Jesse Norman jep dorëheqjen, duke thënë se ishte një nder të kisha shërbyer.
Jeremy Quin, përgjegjës për pagat, thotë se ka vendosur të tërhiqet për t’u përqëndruar në zonën e tij elektorale në Horsham – duke shtuar se ka qenë një “kënaqësi” për të mbështetur kryeministrin.
Më pak e kënaqur ishte ministrja e strehimit Rachel Maclean, e cila thotë se është “e zhgënjyer” që është shkarkuar nga posti i saj. /albeu.com