Gjetja e foshnjës brenda në garazh, kamerat mund të kenë fiksuar personin që e braktisi

Ky është divani në brendësi të një garazhi pallatesh në zonën e Yzberishtit në kryeqytet ku u gjet e braktisur një foshnje e porsalindur. Ka qenë një banor i pallatit që ka konstatuar foshnjen të mbështjellë me një batanije, e që më pas ka lajmëruar policinë.

Kanë qenë pikërisht këta të fundit që kanë marrë fëmijën e sapolindur dhe e kanë dërguar në spital, aty ku dhe gjendet aktualisht nën kujdesin e stafit mjekësor.

Përpara oficerëve të policisë, banori që gjeti foshnjen është shprehur se ka qenë duke pirë cigare në garazh, kur ka parë në një cep fëmijën e mbuluar me batanije.

Më tej ai ka shtuar se ka kontaktuar policinë dhe se nuk e ka verifikuar nëse foshnja kishte apo jo shenja jete. Për të zbuluar më tepër mbi rrethanat e braktisjes së foshnjes, policia ka nisur grumbullimin e pamjeve filmike brenda dhe jashtë garazhit për të mësuar se kush e ka lënë aty fëmijën e sapolindur. /tv Klan


Shtuar 8.11.2023 16:41