Marrëdhëniet Izrael-Turqi të tensionuara, Netanyahu tërheq diplomatët pas deklaratave të Erdoganit pro Hamasit

Marrëdhëniet mes Izraelit dhe Turqisë janë të tensionuara, për shkak të deklaratave të Erdoganit kundër Izraelit.

Menjëherë pas deklaratave nxitëse të Tajip Erdogan, në të cilat ai përsëriti se Hamasi nuk është një organizatë terroriste, ndërsa e quajti Izraelin një fuqi pushtuese, ministri i Jashtëm izraelit Eli Cohen u bëri thirrje të gjithë përfaqësuesve diplomatikë të vendit të tij që të kthehen nga Turqia.

Në një postim në Twitter, Ministria e Jashtme izraelite deklaroi se kjo lëvizje po bëhet ndërkohë që po shqyrtohen marrëdhëniet Izrael-Turqi.

Ai i cilësoi deklaratat e presidentit turk si “të ashpra”.

Deklaratat e Erdoganit

Erdogan përsëriti se Hamasi nuk është një organizatë terroriste, ndërsa e quajti Izraelin një okupator.

Përpara një turme njerëzish, në një tubim mbështetës për palestinezët të organizuar sot nga partia e tij në Stamboll, Erdogan donte në mënyrën e tij të krijonte një profil lidershipi për botën myslimane.

“E përsëris se Hamasi nuk është një organizatë terroriste. Izraeli është pushtuesi i Palestinës”, tha presidenti turk.

Ai fajësoi Perëndimin për situatën në Lindjen e Mesme.

“Ai është përgjegjës për mizoritë në Gaza. Mizoritë janë një ndikim i veprimeve të Perëndimit”.

“Sa duhet të vdesin që ju të shpallni një armëpushim?” vazhdoi ai me një pyetje drejt Perëndimit.

“Izraeli është i shqetësuar nga ajo që ne themi për Hamasin. Por ne nuk i detyrohemi asgjë Izraelit”, shtoi Erdogan.

“Komuniteti ndërkombëtar qëndron i verbër dhe i shurdhër përballë asaj që po ndodh dhe pavarësisht thirrjeve të Kombeve të Bashkuara”, shtoi ai./albeu.com


Shtuar 28.10.2023 19:27