Prekëse! Po raportonte sulmet në Gaza, gazetari merr vesh se iu vra gjithë familja (VIDEO)

Gazetari i Al Jazeera, Wael Dahdouh ka mbuluar pa pushim konfliktin mes Izraelit dhe palestinezëve që nga data 7 tetor, kur Hamasi sulmoi Izraelin.

Gjatë raportimeve mbi tmerret në Gaza, gazetarit i mbërriti lajmi se në mesin e viktimave ishin edhe anëtarët e familjes së tij.

Gruaja, vajza dhe djali i korresnpondentit arab të Al Jazeera humbën jetën kur një bombë ra mbi shtëpinë në të cilën ishin strehuar.

Ishte kryeredaktori i televizionit, Mohamed Moawad, që përcolli lajmin e trishtë në rrjetet sociale, duke e shoqëruar dhe me pamjet rrëqethëse të reporterit që përpiqet të mbajë veten, por tronditja dhe dhimbja është me fortë se ai.

“Gruaja, vajza dhe djali i gazetarit tonë të guximshëm Wael Dahdouh janë vrarë gjatë sulmeve ajrore izraelite që goditën shtëpinë në të cilën ata kishin gjetur strehë. Wael mësoi për lajmin e kobshëm ndërkohë që raportonte pandërprerë për sulmeve izraelite në Gazë”, ka shkruar Moawad.

Trupat dhe tanket izraelite  kryen gjatë natës një sulm tokësor në veri të Rripit të Gazës. Kjo u pohua edhe nga Ushtria e Izraelit e cila njoftoi se kishte goditur disa objektiva të militantëve, me qëllimin që “të përgatiste fushëbetejën” për pushtimin e pritshëm tokësor të enklavës, pas më shumë së dy javë bombardimesh shkatërruese që kanë marrë me mijëra jetë njerëzish në këtë territor.

/Albeu.com