Tragjedia me 14 viktima, tekniku i teleferikut: Frenat e emergjencës ishin çaktivizuar

Detaje të reja bëhen me dije nga tragjedia në Itali, ku si pasojë e këputjes së teleferikut humbën jetën 14 persona. Njëri prej punonjësve, Gabriele Tadini, ka pohuar se frenat e emergjencës ishin çaktivizuar.

Tgcom24 shkruan se aksidenti tanimë po merr përmasat e një akti kriminal. Tadini është shprehur se sistemi i frenave të emergjencës kishte dalë jashtë funksionit duke shkaktuar kështu rrëzimin tragjik ku humbën jetën 14 persona.

Siç është raportuar nga La Stampa, Tadini i ka thënë prokurorit të Verbania, Olimpia Bossi, se kishte ndërhyrë vetë, duke vendosur vazhdimisht mekanizma kundër bllokimit të frenave gjatë shërbimit normal të transportit të pasagjerëve.

Për të shmangur bllokimet e vazhdueshme, të bindur se kabina nuk do të dëmtohej, kishin ndërhyrë, por pasojat e një vendimi që synonte kursimin e parave, kushtuan jetë njerëzish.

Frenat ishin çaktivizuar që nga fundi i Prillit. Kabina 4, shpjegon Olimpia Bossi, Prokurori i Verbania që urdhëroi arrestimet, paraqiti pjesërisht të njëjtat anomali. Hetuesit kanë sekuestruar edhe kutinë e zezë. Ndaj Luigi Nerini, Enrico Perocchio dhe Gabriele Tadini, tre të arrestuarit, rëndojnë akuza për vrasje me dashje.

Teleferiku i Stresa-Mottarone i çon turistët dhe vendasit nga qyteti i famshëm Stresa, në liqenin Maggiore, gati 1400 metra mbi nivelin e detit deri në majën e malit Mottarone dhe udhëtimi me të zgjat normalisht 20 minuta.


Shtuar 28.05.2021 08:18