“Po i ndihmoja sepse ishin djegur”, rrëmbeu 4 emigrantë, çfarë deklaroi greku para policëve

Personi që rrëmbeu katër emigrantë në Evros ka thënë se i ndihmoi ata, pasi ishin djegur nga zjarret.

Sipas mediave greke, ai të hënën u paraqit në sigurimin e Aleksandoupolis, i shoqëruar nga një avokat dhe dha një version krejtësisht të ndryshëm nga ai që shkaktoi ndërhyrjen e prokurorit, i cili urdhëroi një ekzaminim urgjent paraprak.

Ai thuhet se pohon se nuk ka ushtruar kurrë dhunë ndaj emigrantëve që shihen në video të shtrirë në tokë dhe se i ka gjetur në gjendje të keqe me djegie nga zjarret. Madje, ai pohon se është përpjekur vazhdimisht të thërrasë për ndihmë dhe të kujdeset për plagët e tyre.

Sipas të njëjtave informacione, burri pretendon se nuk beson se emigrantët janë përgjegjës për zjarret dhe se nuk i ka arrestuar, përkundrazi thotë se ka tentuar t’i ndihmojë pasi kanë vrapuar për t’i shpëtuar zjarrit dhe kanë pësuar djegie në fytyrat dhe trupat e tyre. Për të vërtetuar pretendimet e tij, ai kërkon nga emigrantët të dëshmojnë dhe thekson se e vërteta do të dalë në dritë.

Ndërkohë, të hënën, i vetëshpalluri “sherif” kishte bërë postimin e mëposhtëm në llogarinë e tij personale në Facebook:

“Qytetarët kanë të drejtë të arrestojnë një kundërvajtës për krime dhe kundërvajtje të kryera nga vetë dhe të procedojnë me kalimin e tyre të menjëhershëm në prokurori!!! SHKELJA E KUFIJVE. Është vepër penale…. Dhe siç e shihni, çdo grek ka të drejtë t’i dorëzojë prokurorit dhe autoriteteve ata që vijnë ilegalisht në vend”, shkruante ai.


Shtuar 29.08.2023 14:45