A ka gisht Putin në vdekjen e Prigozhin? Lukashenko: Nuk mund ta imagjinoj

Udhëheqësi i Bjellorusisë, Aleksandër Lukashenko ka hedhur poshtë akuzat kundrejt presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, si të përfshirë në rrëzimin e avionit në të cilin ndodhej kreu i grupit Wagner, Yevgeny Prigozhin.

Sipas mediave të huaja, Lukashenko tha se ai “nuk mund ta imagjinojë” që Putini të jetë përfshirë në këtë incident.

Ai tha se “është diçka joprofesionale” që presidenti rus ta ketë urdhëruar atë, në komentet e raportuara nga agjencia bjelloruse e lajmeve Belta.

“Nuk mund ta imagjinoj që Putini e bëri këtë, se Putini është fajtor”, tha Lukashenko.

Lukashenko tha gjithashtu se ai paralajmëroi krerët e grupit mercenar Prigozhin dhe Dmitry Utkin, i cili besohet se i ka dhënë emrin Grupit Ëagner, të jenë vigjilentë ndaj kërcënimeve të mundshme ndaj jetës së tyre.

Presidenti bjellorus tha se i tha Prigozhinit teksa drejtonte një kryengritje drejt Moskës dy muaj më parë se ai do të “vdiste” nëse nuk ndalonte.

Në lidhje me pyetjen nëse luftëtarët e Wagner do të qëndronin në Bjellorusi si pjesë e marrëveshjes së ndërmjetësuar për t’i dhënë fund rebelimit jetëshkurtër, Lukashenko tha: “Për sa kohë që ne kemi nevojë për këtë njësi, ata do të jetojnë dhe punojnë me ne”.


Shtuar 25.08.2023 16:43