Në rast se vazhdon edhe më tej të bie numri i të sëmurëve, ekziston mundësia për organizimin e dasmave në ambiente të hapura në fillimin e verës.
Ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe, ka përsëritur se po mendohet seriozisht të lejohen ahengjet familjare në fillim të muajit qershor nën protokolle të caktuara. “Gjasat janë të mëdha për diçka të tillë, në rast se shifrat edhe të tej ulen, siç janë ulur deri tani”, shton Filipçe.
Restorantet edhe në të ardhmen pritet të jenë të hapura vetëm në pjesën e jashtme të kapaciteteve hotelerike, ndërsa po mendohet për më shumë mysafirë në një tavolinë apo së paku gjashtë. Megjithatë, propozimet e tilla duhet të shqyrtohen dhe miratohen nga Komisioni i Sëmundjeve Ngjitëse.
Në ndërkohë, pronarët e restoranteve thonë se është në rritje interesimi i qytetarëve për rezervime pas paralajmërimeve se pas më shumë se një viti të ndërprerjes të punës, do të vazhdojnë me organizimin e ahengjeve familjare. Nga Këshilli Nismëtar i Restoranteve për organizimin e dasmave thonë se presin që muajin tjetër të fillojnë me punë, si dhe pranimin e propozim-protokolleve nga ana e tyre nga kompetentët.
“Vlerësojmë se në tavolina duhet të lejohen të ulen maksimalisht gjashtë të rritur dhe dy fëmijë, ndërsa tavolinat duhet të jenë në distancë. Njëherësh duhet të ketë distancë edhe midis muzikës dhe mysafirëve. Gjithashtu, numri i mysafirëve në raport me kapacitetet ekzistuese duhet të jetë i përgjysmuar. Vizitorët nuk kanë nevojë të mbajnë maska për shkak se personeli shërbyes do të mbajë pajisje mbrojtëse. Rregullisht do të kryhet edhe dezinfektimi i tualeteve dhe do të mbahet kujdes që të gjithë vizitorët të respektojnë masat parandaluese”, thotë Marija Sinadinmovska Arsovska nga ky këshill.
Sipas saj, apelohet që kompetentët me kohë të dorëzojnë rregulloret e reja për punë, apo disa javë më parë me qëllim që hotelierët të kenë kohë të mjaftueshme për përgatitje, si dhe të informohen dasmorët për rregullat e reja nën të cilat do të organizohen dasmat.
Në ndërkohë, ekspertët e kësaj fushe thonë se pas më shumë se një viti të lodhshëm të pandemisë, ajo po dobësohet dukshëm dhe pritet të zbehet në fillim të muajit korrik. Në ditët e kaluara kemi pasur 55 raste në 100 mijë banorë, po ulet numri i të shtruarve në spitale, por megjithatë akoma janë të larta shifrat e pacientëve që i pësojnë në mënyrë fatale pasojat e këtij virusi. Se epidemia i afrohet fundit apo se po ndërpritet zgjerimi i saj, mund të themi kur incidenca 14 ditore do të ulet nën 20, apo kur do të ulet dukshëm numri i të sëmurëve në mesatare në 100 mijë banorë, thonë ekspertët.
“Në këtë rast do të mund të themi se ka kaluar epidemia dhe me shifra të tilla – edhe mund të relaksohen masat që do të ishte në fund të muajit qershor apo fillimin e muajit korrik, thotë profesori universitar i epidemiologjisë, Dragan Danillovski. Edhe ekspertët e tjerë pajtohen se siç po shkojnë punët, mund të presin normalizim të situatës. Profesori universitar i mikrobiologjisë, Nikolla Panovski thotë se më e keqja ka kaluar, kemi fituar imunitet kolektiv, që për fat të keq e kemi paguar me çmimin shumë të shtrenjtë apo me mbi 5200 vdekje. “Mund të presim që gjysma e qytetarëve do të vaksinohen deri në fillim të muajit gusht, ndërsa 70 për qind deri në fund të vitit në rast se procesi i imunizimit do të lëviz me hapa të ngjashme si deri tani”. Ai pret të kemi një vjeshtë të qetë, pa një numër më të madh të të sëmurëve dhe rasteve të vdekjes. Njëherësh apelon edhe për vaksinimin e popullatës, për shkak se vetëm në këtë mënyrë do të fitojmë këtë luftë të vështirë me pandeminë. (koha.mk)