Në kërkim të ujit, Rusia dërgon anije kozmike në Hënë pas 47 vjetëve

Rusia e ka nisur një anije kozmike drejt Hënës, për herë të parë pas 47 vjetëve, me shpresën se do të bëhet vendi i parë që do të zbarkojë në polin jugor hënor, rajon ku besohet se ekzistojnë disa pjesë me ujë të akullt.

Misioni hënor i Rusisë, i pari prej vitit 1976, është nisur si garë kundër Indisë, e cila e ka nisur një mision të njëjtë muajin e kaluar.

Në garë përfshihen edhe Shtetet e Bashkuara dhe Kina, të cilat kanë programe të avancuara të eksplorimit në Hënë, dhe të gjitha e shënjestrojnë polin jugor.

Raketa ruse Soyuz 2.1, bashkë me pajisjen për lëshim në Hënë Luna-25, janë nisur të premten nga afërsia e Moskës.

Anija kozmike pritet të arrijë në sipërfaqe të Hënës më 21 gusht, ka thënë shefi i Agjencisë Hapësinore të Rusisë, Yuri Borisov.

“Tani do ta presim datën 21. Shpresoj se do ta realizojmë uljen me precizitet të lartë. Shpresojmë se do të jemi të parët”, ka thënë ai nga kozmodromi Vostoçni, prej kur është nisur misioni.

Luna-25, që e ka madhësinë e një makine të vogël, pritet të operojë për një vit në polin jugor të Hënës, ku shkencëtarët e Agjencisë Hapësinore amerikane NASA, dhe agjenci të vendeve tjera, kanë identifikuar ujë të akullt në disa kratere.

Ky mision, të cilin Rusia e ka planifikuar për dekada, do ta testojë pavarësinë e këtij shteti meqë, pas nisjes së luftës së Moskës në Ukrainë, më 2022, Rusia i ka shkëputur pothuajse të gjitha lidhjet me Perëndimin, pavarësisht rolit të saj në Stacionin Hapësinor Ndërkombëtar.

Astronauti amerikan Neil Armstrng është personi i parë që ka shkelur në sipërfaqe të Hënës më 1969, mirëpo misioni i ish-Bashkimit Sovjetik Luna-2, ka qenë i pari që ka arritur ndonjëherë në sipërfaqe të Hënës më 1959. /REL


Shtuar 11.08.2023 09:58