10-fish më shumë, gazetari zbulon sa vlen vërtetë inceneratori i Tiranës

Gazetari Klodian Tomorri ka publikuar të dhëna financiare nga projekti i inceneratorit të Tiranës, i cili tashmë është sekuestruar nga SPAK për shkak të korrupsionit që u gjet aty.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Tomorri shkruan se inceneratori i Tiranës nuk është një biznes 128 milionë euro siç shprehen shpesh opozita apo edhe disa media, por gati 1 miliard euro.

Tomorri radhit të ardhurat e inceneratorit nga pagesat e bashkive në Tiranë dhe Durrës si edhe të bizneseve të ndërtimit për depozitimin e dherave, të cilat në total sipas tij shkojnë 900 milionë euro në 30 vjet duke i shtuar kësaj edhe shitjet e skrapit dhe mbetjeve të tjera pas përpunimit.

Për 30 vjet dherat dhe inertët shkojnë 450 milionë euro të tjera. Rezultati, 300 milionë euro nga Bashkia Tiranë plus 150 milionë euro nga bashkitë e tjera të qarkut dhe Durrësi plus 450 milionë euro nga dherat. Në total bëjnë 900 milionë euro. Këto të ardhurat e tjera, nga shitja e skrapit, nga shitja e letërave etj., etj., vendosini vet sa të doni “, shkruan ai.

Postimi i Tomorrit

Mos e ofendoni inceneratorin me 128 milionë euro Një pjesë e kolegëve në media, por edhe politikanë shpesh i referohen koncesionit të inceneratorit të Tiranës si afera 128 milionë euro.

Kjo është e gabuar dhe duhet sqaruar një herë e mirë. Shifra 128 milionë euro është kostoja e parashikuar nga kompania koncesionare për ndërtimin e inceneratorit.

Pra ishte investimi që duhet të kryente kompania private. Por nuk është kjo shifër thelbi i koncesionit. Inceneratori i Tiranës është një biznes 1 miliardë euro dhe llogaritjet për këtë janë shumë të thjeshta.

1-Bashkia e Tiranës sot paguan 10 milionë euro në vit për depozitimin e mbetjeve në Sharre.

Afati i koncesionit ishte parashikuar 30 vjet.

Sikur popullsia e Tiranës të mos rritet fare dhe sasia e plehrave që gjeneron qyteti të mbetet kjo që është tani, 300 milionë euro janë vetëm pagesat e Bashkisë së Tiranës.

2-Qarku dhe Durrësi Kontrata është për të gjithë qarkun e Tiranës. Dhe qarku nuk është vetëm Bashkia e Tiranës. Vetëm saj janë dhe Bashkia e Vorës dhe Kavajës. Përtej këtyre bashkive, pasi koncesioni u dha atij iu shtua dhe qarku i Durrësit. Të gjitha këto janë 5 milionë euro shtesë në vit. Për 30 vjet bëjnë 150 milionë euro të tjera.

3-Dherat dhe inertët Ky është burimi më i madh i të ardhurave të koncesionit të inceneratorit të Tiranës. Shikoni vetëm një llogari. Në vitin 2021 kompania Integrated Energy BV arkëtoi 25 milionë euro. Nga këto 10 milionë euro erdhën nga pagesat e bashkive, 15 milionë euro të tjera ishin nga dherat dhe inertët e ndërtuesve. Kujtoni papagjyshëritë e policisë që rrinin gjithë natën në gropat e ndërtuesve.

Pra, për 30 vjet dherat dhe inertët shkojnë 450 milionë euro të tjera. Rezultati, 300 milionë euro nga Bashkia Tiranë plus 150 milionë euro nga bashkitë e tjera të qarkut dhe Durrësi plus 450 milionë euro nga dherat. Në total bëjnë 900 milionë euro. Këto të ardhurat e tjera, nga shitja e skrapit, nga shitja e letërave etj., etj., vendosini vet sa të doni.

Por në final do të keni këtë rezultat. 1 miliardë euro. Kaq është koncesioni i inceneratorit të Tiranës. Dhe ky është vlerësimi konservator, që bazohet mbi supozimin se inceneratori nuk ndërtohet fare.

Sepse po të ndërtohej duhen llogaritur dhe flukset e të ardhurave nga shitja e energjisë që do të prodhojë ai.

Por kjo është në xhep. Ndaj mos e ofendoni kur i thoni afera 128 milionë euro.

/albeu.com


Shtuar 10.08.2023 13:29