Blinken akuzon Rusinë: Po përdor marrëveshjen e grurit si shantazh

Kreu i diplomacisë amerikane, Anthony Blinken, akuzoi sot Rusinë për shantazh lidhur me marrëveshjen për eksportin e grurit përmes Detit të Zi dhe për një sulm ndaj sistemit global të ushqimit.

“Çdo anëtar i këtij Këshilli, çdo anëtar i Kombeve të Bashkuara duhet t’i thotë Moskës: Deri më tani ka përdorur (Marrëveshjen e Detit të Zi) për të shantazhuar. Deri më tani ka përdorur njerëzit më të cenueshëm në planet si mjet pazaresh. Mjaft me këtë luftë të pajustifikuar dhe të papranueshme në Ukrainë”, i tha Sekretari amerikan i Shtetit Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

SHBA mori presidencën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për gjashtë muajt aktual të martën dhe e ka bërë luftën kundër pasigurisë ushqimore të lidhur me luftërat një prioritet kryesor. Kjo ishte tema e takimit të kryesuar nga Blinken, në selinë e OKB-së në Nju Jork.

Blinken tha se Uashingtoni dëshiron që Këshilli të miratojë një deklaratë të përbashkët që dënon përdorimin e ushqimit si armë, e cila tashmë është nënshkruar nga 91 vende. Megjithëse diplomatët amerikanë siguruan se sekretari nuk po kërkon një konflikt me Rusinë në Kombet e Bashkuara, deklarata synon qartë Moskën, për shkak të pushtimit të Ukrainës dhe tërheqjes së saj nga marrëveshja e Detit të Zi.

“Uria nuk mund të shndërrohet në një armë lufte”, përsëriti Blinken. Ai njoftoi gjithashtu se programet për të luftuar pasigurinë ushqimore në dhjetë vende afrikane dhe Haiti do të financohen, me një total prej 362 milionë dollarësh.


Shtuar 3.08.2023 18:52