Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, ka reaguar në Facebook në lidhje me arrestimin e ish-policit në Lezhë me akuzën e shpërdorimit të detyrës dhe shpalljen në kërkim të një tjetër ish- efektivi, që akuzohet për kultivimin e bimëve narkotike.
Ai shkruan se Policia e Shtetit po godet për shkuljen deri në fund të kultivimit të paligjshëm nga mendjet e atyre që gënjejnë veten se meqë sot ka më pak kanabis se dje, ne do të flemë mbi dafina.
Ndërsa thekson se “vetëm sa ka nisur sot” dhe se forcimi i bashkëpunimit mes agjencive ligjzbatuese dhe lufta e përbashkët për spastrimin e vatrave të krimit përballë dhe brenda vetë organizatës së Policisë së Shtetit, do ta çojë Shqipërinë në një tjetër nivel të sundimit të ligjit.
“Kur në adresimin e parë për Policinë e Shtetit thashë se një rrënjë e vetme kanabisi nuk ka shans të rritet, pa një polic që paguhet për të mos e parë apo se një parcelë kanabisi nuk ka një mundësi të vetme të korret, pa një shef komisariati që paguhet nga trafikantët për të mos e shkulur, kisha parasysh këtë që vetëm sa ka nisur sot. Policia e Shtetit po godet për shkuljen deri në fund të kultivimit të paligjshëm nga mendjet e atyre që gënjejnë veten se meqë sot ka më pak kanabis se dje, ne do të flemë mbi dafina! Sot bashkë me rrënjët e paligjshme janë shkulur edhe dy oficerë policie në Drejtorinë Vendore të Policisë në Lezhë, të cilët ishin në ortakëri me trafikantët. Ata tani janë në duart e drejtësisë” thuhet në një deklaratë të ministrit të Brendshëm Taulant Balla./albeu.com/