Policia Kufitare e Durrësit ka bllokuar 16 mjete lundruese nga Shëngjini në Kavajë. Krahas bllokimit të mjeteve lundruese, drejtuesit e tyre u ndëshkuan me masa administrative që variojnë nga 10 000 deri në 100 000 lekë të rinj.
Njoftimi i policisë:
Si rezultat i monitorimit të vijës bregdetare dhe të hapësirës ujore të qarkut Durrës, me objektivin primar, garantimin e sigurisë së jetës së qytetarëve dhe pushuesve, Njësia Policore Detare, në bashkëpunim me shërbimet e Policisë Kufitare të DVKM Durrës, ka bllokuar 16 mjete të tjera lundruese, të cilat u konstatuan në paligjshmëri të ndryshme.
-Në Shëngjin, Spille dhe në Durrës, janë bllokuar 11 Jet Ski, 1 gomone dhe 4 skafe. 2 nga drejtuesit e këtyre mjeteve lundruese u ndëshkuan secili me masat 100 000 lekë të rinj dhe 10 000 lekë të rinj, për lundrim në zonë të ndaluar dhe për mungesë dokumentacioni; 3 drejtues u ndëshkuan me nga 100 000 lekë të rinj, për lundrim dhe bregëzim në zonë të ndaluar; 7 drejtues u ndëshkuan me nga 10 000 lekë të rinj, për mungesë dokumentacioni në bord; 3 drejtues u ndëshkuan me nga 20 000 lekë të rinj dhe 1 drejtues u ndëshkua me 80 000 lekë të rinj, për disa shkelje të kryera njëkohësisht.
Policia Kufitare e Durrës apelon për të gjithë përdoruesit e mjeteve lundruese, që të zbatojnë rregullat për përdorimin e mjeteve lundruese dhe të respektojnë zonat e përcaktuara për lundrim me këto mjete, me qëllim që ata dhe pushuesit e tjerë të jenë të sigurtë dhe të qetë.
Gjithashtu, fton qytetarët që për çdo rast të shkeljes së perimetrit të sigurisë dhe të përdorimit të mjeteve lundruese në mënyrë të parregullt, të denoncojnë në numrin pa pagesë 112, duke iu garantuar reagim të shpejtë, në bazë të ligjit.